Skip to content
Kryesore

“Little Albania” futet në hartën zyrtare të New York-ut, mungesa e “Little Italy” shkakton debat

· 2 min lexim

“Little Albania” është përfshirë në hartën zyrtare të enklavave të emigrantëve në New York, të publikuar nga bashkia e qytetit, duke u renditur mes lagjeve që përfaqësojnë komunitetet etnike që kanë lënë gjurmë në historinë dhe identitetin kulturor të metropolit amerikan.

Në hartë janë identifikuar 30 zona në pesë bashkitë e New York-ut. Mes tyre është edhe “Little Albania” në Bronx, e konsideruar një nga qendrat më të rëndësishme të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara. Prej dekadash, kjo lagje është kthyer në një pikë referimi për shqiptarët, me restorante, biznese dhe aktivitete që ruajnë traditat dhe kulturën shqiptare.

Publikimi i hartës ka nxitur polemika, pasi në të mungon “Little Italy”, një nga lagjet më ikonike të emigracionit italian në SHBA.

Përfaqësues të komunitetit italo-amerikan dhe politikanë lokalë e kanë cilësuar përjashtimin si një gabim të rëndë, duke theksuar se kontributi historik i emigrantëve italianë në zhvillimin e New York-ut nuk mund të lihet jashtë një harte të tillë, raporton New York Post.

Pavarësisht debatit, “Little Albania” mbetet pjesë e hartës zyrtare, së bashku me lagje të njohura si Koreatown, Chinatown, Little Ukraine, Little Guyana, Little Pakistan dhe Little Yemen.

Sipas Bashkisë së New York-ut, harta synon të dokumentojë lagjet që janë identifikuar historikisht me komunitetet emigrante dhe ndikimin që ato kanë pasur në zhvillimin e qytetit.