Skip to content
Të Gjitha

Lajmi që po gëzon Katolikët shqiptarë, Imzot George Frendo mposhti COVID-in, del nga spitali

· 2 min lexim

Nëpër kishat Katolike të mbarë vendit dhe në komunitete të ndryshme u organizuan liturgji lutjesh drejtuar Krishtit, sapo u mësua se Arqipeshkvi Frendo, ishte infektuar me koronavirus.

Por sot një tjetër lajm i mirë ka ardhur nga përtej Adriatikut për të gjithë besimtarët katolikë.

Imzot George Frendo ka fituar betejën me COVID-19, duke marrë rezultate të mira pas testimeve të bëra dhe ka dalë nga spitali. Arqipeshkvi Frendo po trajtohej në Bari të Italisë.

Imzot Frendo, u shpreh pak ditë më parë se, ishte i paduruar për t’u kthyer në përditshmërinë në Arqidioqezën metropolitane Tiranë-Durrës dhe në jetën baritore.

NJOFTIMI

“Përmes këtij komunikimi, ju informojmë se gjendja shëndetësore e Sh. T. Imzot George Frendo, Arqipeshkëv Metropolit i Tiranë-Durrës, dhe President i Konferencës Ipeshkvore Shqiptare, (KISH), paraqitet shumë e mirë. Ka dy ditë që ka lënë spitalin “Acquaviva delle Fonti”, në Miulli (Bari). Aktualisht ndodhet në Kuvendin Françeskan Kapuçin në Bari, duke zbatuar karantinën e nevojshme deri në përgjigje të një tamponi të dytë që të rezultojë negativ nga Covid-19.

Nga kontakti i sotëm, që kemi pasur, ai i përcjell falënderimet dhe mirënjohjet e sinqerta për stafin mjekësor të Spitalit, për etërit Françeskan Kapuçin, ku aktualisht po qëndron, si dhe për të gjithë njerëzit dhe besimtarët të cilët e kanë kujtuar dhe vazhdojnë ta kujtojnë në lutje.

Ne vazhdojmë të lutemi, që ngushëllimi dhe prania e Zotit t’i mbështesë të gjithë ata që sot janë të sprovuar nga sëmundja si dhe çdo person i angazhuar në vijën e parë të kujdesit dhe shërbimit për ta”.

/GazetaReforma.com/