Skip to content
Rajoni

Lajçak në Kosovë: Nëse ndërpresim dialogun , do të na duhet ta rinisim

· 2 min lexim

Përfaqësuesi i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë- Serbi Miroslav Lajçak do të vizitojë  këtë të martë  Kosovën në kuadër të vijimit të bisedimeve  midis dy palëve.

Lajçak do të takohet me kreun e qeverisë së Kosovës Avdullah Hoti, rreth orës 16:30 në zyrën e kryeministrit . Sipas mediave të kosovës në qendër të diskutimeve do të jenë zbatimi i marrëveshjeve të mëparshme ,si dhe çështja  e  Asociacionit e Komunave serbe në Kosovë.

Çështja në fjalë ka shkaktuar bllokimin e bisedimeve për normalizimin marrëdhënieve Prishtinë-Beograd.

“Qëllimi ynë është një marrëveshje që rregullon të gjitha çështjet e hapura dhe të paadresuara. Me aprovimin më 2013/2015 vjen edhe obligimi për ta implementuar. S’ka çështje që negociohet e që është e lehtë. Por nëse e ndërpresim dialogun sërish, do të na duhet ta rinisim”, ka deklaruar të dielën  Lajçak.

Kosova nga ana e saj është shprehur se çështja e asociacionit të komunave serbe në Kosovë  konsiderohet një  çështje e mbyllur ndërsa Serbia insiston për të kundërtën.

Formimi i Asociacionit është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur në dialogun Kosovë-Serbi. Në vitin 2015, dy vendet, nën ndërmjetësimin e BE-së, kanë arritur edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e këtij Asociacioni.

Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka hedhur poshtë marrëveshjen duke argumentuar  se parimet e saj nuk janë në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës.

Pas vizitës në Prishtinë, Lajçak do të vizitojë edhe Serbinë.

/Gazetareforma.com/