Skip to content
Kryesore

Kur pushteti i inteligjencës shantazhon median

· 6 min lexim

Nga Lindita Çela

Ka momente kur një fjali e vetme apo skena që zgjasin vetëm disa sekonda tregojnë shumë për mënyrën se si funksionon një shtet, për mënyrën se si zgjidhen drejtuesit e tij, por, mbi të gjitha, për nivelin e tyre jo vetëm profesional, por edhe për raportin që ata kanë me zbatimin e ligjit.

Të gjitha këto na i tregoi, në ato pak sekonda, Vlora Hyseni, ish-drejtuese e Shërbimit Informativ të Shtetit, në hyrje të Gjykatës së Posaçme, ku ishte paraqitur për vlerësimin e masës së sigurisë lidhur me akuzat që nuk kanë të bëjnë vetëm me shkeljen e ligjit, por, mbi të gjitha, me integritetin e saj.

Gazetarja Klodiana Lala iu afrua për ta pyetur për çështjen që e kishte çuar në GJKKO, ku ajo po përballet me një proces që lidhet pikërisht me mënyrën se si janë përdorur dhe administruar informacionet e shërbimit që ajo drejtonte.

Një ish-drejtuese e shërbimit inteligjent, minimumi, nuk përgjigjet. Por, në vend të heshtjes, Vlora Hyseni, me një fjali të vetme, e zhvendosi debatin nga një proces gjyqësor ku ajo është e pandehur, te marrëdhënia midis inteligjencës, sekretit shtetëror dhe lirisë së medias.

Teksa Lala po i drejtonte pyetje Hysenit, ish-drejtorja e SHISH-it iu përgjigj publikisht:

“Klodi, si kalon ti në takime me agjentët serbë në dhomat e hotelit Rogner?” – deklaroi Hyseni, në prani të gazetarëve dhe mediave që po transmetonin drejtpërdrejt hyrjen e saj para togave të zeza.

Në politikë, në media dhe në debatet publike, akuzat ndaj gazetarëve nuk janë të pazakonta. Por kur një ish-drejtuese e inteligjencës shqiptare flet për “agjentë serbë” dhe për takime në dhoma hoteli, kjo fjali ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si mund të përdoret autoriteti dhe informacioni i një ish-drejtueseje të Shërbimit Informativ të Shtetit.

Sepse një ish-drejtuese e SHISH-it nuk është thjesht një qytetare që mund të ketë dëgjuar një histori në një kafene.

Ajo ka drejtuar një institucion që, sipas ligjit, mbledh dhe analizon informacion nga veprimtaria informative dhe kundërzbulimi. Vetë SHISH thotë se detyra e tij përfshin sigurimin e informacionit nga zbulimi dhe kundërzbulimi dhe se informacioni i mbledhur duhet të jetë objektiv dhe i pavarur nga konsideratat politike.

Drejtori i SHISH-it, sipas kuadrit ligjor të publikuar nga vetë institucioni, përgjigjet gjithashtu për mbrojtjen e metodave dhe burimeve të informacionit nga ndërhyrjet e paautorizuara.

Nëse një deklaratë publike bazohet në informacion të klasifikuar, pyetja nuk është vetëm nëse ajo që u tha është e vërtetë.

Çështja qëndron te pyetja se çfarë ndodh kur një person që ka drejtuar një shërbim inteligjent përdor publikisht informacion apo pretendime që lidhen me botën e inteligjencës dhe i drejton ato ndaj një gazetareje.

Kodi Penal e njeh pikërisht këtë rrezik. Neni 295 parashikon përgjegjësi për tregimin ose përhapjen e sekretit shtetëror. Neni 295/a shkon më tej: parashikon përgjegjësi kur një funksionar publik ose person i ngarkuar me shërbim publik u zbulon të tretëve të dhëna që ligji i përcakton si sekret, në kundërshtim me detyrën ose duke abuzuar me cilësitë e veta.

Ligji nuk e koncepton informacionin e inteligjencës si pronë të drejtuesit të shërbimit.

Dhe pikërisht këtu qëndron problemi.

Një akuzë e tillë, sidomos kur i drejtohet një gazetareje që mbulon hetimet e krimit dhe korrupsionit, nuk është thjesht një kundërsulm retorik. Ajo prek drejtpërdrejt reputacionin profesional të gazetares.

Kjo është arsyeja pse komuniteti i gazetarëve e cilësoi episodin si “shantazh” dhe i kërkoi SPAK-ut ta trajtonte me seriozitet këtë episod.

Në një shtet demokratik, shërbimet inteligjente kanë fuqi pikërisht sepse dinë gjëra që publiku nuk i di.

Kjo fuqi justifikohet vetëm për aq kohë sa përdoret brenda ligjit dhe për qëllimin për të cilin është krijuar.

Kur informacioni i inteligjencës del nga kanalet institucionale dhe shndërrohet në informacion për të shantazhuar një gazetar, kufiri është shqetësues.

Ndaj, deklarata e ish-drejtueses së shërbimit informativ nuk cenon vetëm Klodiana Lalën, por çdo gazetar dhe cenon lirinë e medias.

Në një demokraci, gazetari ka funksionin të pyesë njerëzit që kanë pushtet.

Sidomos kur ata janë nën hetim. Sidomos kur kanë drejtuar institucione që funksionojnë larg syrit të publikut. Dhe sidomos kur bëhet fjalë për Vlora Hysenin.

Nëse një gazetare pyet një ish-drejtuese të SHISH-it për marrëdhëniet e saj me një person nën hetim, përgjigjja normale institucionale është një përgjigje mbi atë çështje.

Kushtetuta shqiptare garanton lirinë e shprehjes dhe të shtypit, ndërsa e drejta për informim përfshin informacionin mbi veprimtarinë e organeve shtetërore dhe personave që ushtrojnë funksione publike.

Neni 10 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut mbron lirinë e shprehjes dhe rolin e medias në debatin publik. Gjykata Evropiane ka theksuar vazhdimisht rëndësinë e mbrojtjes së gazetarëve dhe, në rrethana të caktuara, të burimeve të tyre konfidenciale.

Kjo nuk do të thotë se gazetarët janë të imunizuar nga ligji. Por do të thotë se shteti duhet të tregojë kujdes të veçantë kur informacioni që lidhet me aktivitetin e medias përfshihet në mekanizmat e inteligjencës, mbikëqyrjes ose hetimit.

Sepse efekti nuk kufizohet te një gazetar.

Kjo është ajo që jurisprudenca evropiane e njeh si rrezikun e “chilling effect”, efektit frenues mbi debatin publik.

Nëse ekzistojnë prova për një akuzë ndaj një gazetari, ato duhet të paraqiten në vendin ku verifikohen provat.

Nëse nuk ekzistojnë, atëherë një akuzë e tillë mbetet një pretendim publik, me pasoja reale mbi reputacionin e një personi.

Dhe këtu qëndron thelbi i lirisë së medias:

Gazetari nuk duhet të ketë nevojë të jetë më i fuqishëm se shteti për të bërë një pyetje.

Mjafton që të ketë të drejtën ta bëjë atë.

Sepse, në momentin kur një pyetjeje të gazetarit i përgjigjet me frikën e informacionit që mund të përdoret kundër tij, problemi nuk është më vetëm marrëdhënia mes dy njerëzve.

Është marrëdhënia mes pushtetit dhe medias.

Dhe kjo është një marrëdhënie që një demokraci nuk mund ta lejojë të përcaktohet nga frika dhe shantazhi.