Krim brenda familjes: Vrau me armë zjarri bashkëshorten në Shkodër, policia zbulon identitetet e viktimës dhe autorit

Një krim i rëndë në familje tronditi mesditën e sotme qytetin e Shkodrës. Një 62 vjeçar dyshohet se ka qëlluar për vdekje me armë zjarri bashkëshorten e tij në lagjen “Mark Lula”.
Sipas Policisë së Shtetit, viktima është shtetasja B.Z., rreth 55 vjeçe, ndërsa autori i dyshuar është bashkëshorti i saj, Sh.Z., 62 vjeç.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:30. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e policisë kanë shkuar në vendngjarje, kanë bërë të mundur kapjen e autorit të dyshuar dhe shoqërimin e tij në komisariat për kryerjen e veprimeve procedurale.
Uniformat blu kanë sekuestruar edhe armën e zjarrit me të cilën dyshohet se u krye vrasja.
Paraprakisht, policia bën me dije se krimi dyshohet të ketë ndodhur për motive të dobëta, ndërsa rrethanat dhe motivi i plotë i ngjarjes mbeten ende nën hetim.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për zbardhjen e plotë dhe dokumentimin e kësaj ngjarjeje të rëndë.