Korrupsion dhe pastrim parash/ SPAK merr zyrtarisht nën hetim Olta Xhaçkën

Ish-ministrja e Mbrojtjes dhe e Jashtme, Olta Xhaçka, është marrë zyrtarisht nën hetim nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për korrupsion dhe pastrim të produkteve të veprës penale. Hetimet përfshijnë edhe bashkëshortin e saj, biznesmenin dhe ish-deputetin socialist Artan Gaçi.
Sipas gazetares Klodiana Lala, SPAK i ka komunikuar Xhaçkës statusin e personit nën hetim për veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të produkteve të veprës penale.
Xhaçka u paraqit të mërkurën në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, vetëm pak minuta pasi nga godina ishte larguar bashkëshorti i saj, Artan Gaçi, i cili gjithashtu është nën hetim për të njëjtat akuza.
Nga hetimet e deritanishme kanë dalë të dhëna që dyshohet se e lidhin ish-ministren me veprimtari korruptive dhe transaksione të kryera përmes kompanive të bashkëshortit të saj.
Në qendër të çështjes është projekti i një resorti turistik në Gjilekë të Himarës, ku Artan Gaçi ka përfituar statusin e investitorit strategjik. Projekti parashikohet të zhvillohet mbi një pronë, për të cilën hetimet kanë ngritur dyshime se është përfituar përmes falsifikimit të dokumenteve.
Në vitin 2021, kompania “AG.TCC”, në pronësi të Gaçit, përfitoi statusin e investitorit strategjik për ndërtimin e resortit luksoz “Dreamades Luxury Suites”, me një vlerë investimi të deklaruar prej rreth 5.5 milionë eurosh.
Përveç statusit të investitorit strategjik, kompania përfitoi edhe të drejtën e përdorimit të një zone bregdetare për një periudhë 30-vjeçare.
Megjithatë, projekti u përfshi në polemika dhe denoncime lidhur me mënyrën e përfitimit të pronës ku ishte planifikuar ndërtimi.
Çështja u referua në SPAK përmes një kallëzimi penal të bërë nga Fredi Beleri, i cili përfshinte Olta Xhaçkën, Artan Gaçin dhe ish-kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro.
Në qendër të kallëzimit ishte një sipërfaqe prej 5.512 metrash katrorë në Gjilekë, për të cilën ngriheshin pretendime se ishte regjistruar si pronë private nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara.
Marrja zyrtarisht nën hetim e Olta Xhaçkës shënon një zhvillim të ri në çështjen që prej vitesh ka vënë në qendër të vëmendjes çiftin Gaçi-Xhaçka, për shkak të përfitimit të statusit të investitorit strategjik dhe dyshimeve mbi pronësinë e tokës në bregdetin e Himarës.
Hetimet e SPAK vijojnë, ndërsa statusi i personit nën hetim nuk nënkupton shpalljen e fajësisë.