Skip to content
Kryesore

Korçë/ Shënimi rrëqethës i 66-vjeçarit para vetëflijimit: “Po iki se nuk jam sjellë mirë me familjen”

· 2 min lexim

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Korçën mëngjesin e kësaj të hëne, ku një 66-vjeçar u gjet i pajetë brenda një automjeti të përfshirë nga flakët në lagjen nr. 10 të qytetit. Dyshimet paraprake janë se ai i ka vënë vetë zjarrin mjetit, duke i dhënë fund jetës.

Sipas të dhënave, viktima jetonte i vetëm prej një periudhe kohe, pasi kishte pasur probleme familjare me bashkëshorten. Mësohet se ajo ishte larguar drejt Greqisë së bashku me dy fëmijët e çiftit.

Para se të ndërmerrte aktin, 66-vjeçari kishte lënë një shënim, i cili u gjet nga policia. Në të ai kishte shkruar: “Po iki se nuk jam sjellë mirë me familjen”.

Nga informacionet paraprake dyshohet se ndjenja e fajit për marrëdhëniet e vështira brenda familjes mund ta ketë shtyrë drejt këtij veprimi. Megjithatë, autoritetet vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.

Në njoftimin zyrtar, Policia bën me dije:

“Rreth orës 08:40, në lagjen nr. 10, Korçë, një automjet tip “Benz” është përfshirë nga flakët.

Shërbimet e Policisë dhe të zjarrfikëses kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ku kanë konstatuar se brenda automjetit, në sediljen e parë të pasagjerit, ndodhej pa shenja jete shtetasi I. Ç., rreth 66 vjeç.

Nga veprimet dhe informacionet paraprake dyshohet se shtetasi mund të jetë vetëdjegur brenda automjetit.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të ngjarjes.”