Kishin fshehur 104 kg kokainë në furgon, pranga holandezit dhe shqiptarit në Holandë
HOLANDË
Policia holandeze bën me dije se dy të rinj, mes të cilëvë një shqiptar janë arrestuar, pasi kishin në furgonin që po udhëtonin 104 kilogramë kokainë.
Ngjarja u shënua në Abcoude. Policia ka ndaluar mjetin për kontroll, për shkak se kishte skaduar leja e drejtimit, pa e ditur se çfarë do të zbulonin, raportojnë mediat vendore.
Gjatë kontrollit, forcat policore gjetën se në hapësirat e veçanta në furgon ishte fshehur lënda narkotike. Menjëherë u arrestua drejtuesi i furgonit, një 31-vjeçar holandez dhe 24-vjeçari shqiptar, që ishte pasagjer.
Po ashtu, u sekuestruan edhe dy telefona celularë, të dyshuara se përdoreshin për veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së kokainës në mbarë territorin e Holandës.
Autorët kishin mbështjellë në pako kokainën, ndërsa policia po heton më gjerë, për të zbuluar se kush qëndron pas këtij trafiku të drogës.