Këshilli i Europës kritikon hartën territoriale të Ramës: 15 bashki u shkrinë pa konsultimin e banorëve

Harta territoriale e miratuar nga mazhoranca e Edi Ramës në Kuvend është vënë në qendër të kritikave, pasi ndryshimet e kufijve administrativë janë realizuar pa përfshirjen e duhur të banorëve në vendimmarrje.
Sipas raportit, konsultimet e zhvilluara për bashkimin e njësive vendore nuk kanë siguruar pjesëmarrje kuptimplote dhe në kohë të komuniteteve përkatëse, siç parashikohet në frymën e Nenit 5 të Kartës Europiane të Vetëqeverisjes Vendore.
Dokumenti thekson se ndryshimet e kufijve të autoriteteve vendore duhet të paraprihen nga konsultime me komunitetet e prekura, duke përmendur edhe referendumet lokale si një mundësi për t’u dhënë qytetarëve të drejtën të shprehen drejtpërdrejt.
Megjithëse legjislacioni shqiptar nuk i bën të detyrueshme referendumet për ndryshimet territoriale, ai parashikon garanci ligjore për konsultimin paraprak me bashkitë përkatëse.
Raportuesit paralajmërojnë se e njëjta problematikë mund të përsëritet edhe gjatë përgatitjes së reformës territoriale të planifikuar për vitin 2026. Sipas tyre, përpjekja për të respektuar afatet e shpallura mund të çojë në konsultime thjesht formale, në vend të një procesi gjithëpërfshirës dhe efektiv.
Kritikat nuk kufizohen vetëm te mënyra e miratimit të hartës territoriale. Kongresi evidenton gjithashtu përqendrimin e vazhdueshëm të kompetencave në duart e qeverisë qendrore, duke ngritur shqetësimin për dobësimin e autonomisë së pushtetit vendor.
Një tjetër problem i identifikuar lidhet me burimet e pamjaftueshme financiare, administrative dhe njerëzore të bashkive, të cilat kufizojnë aftësinë e tyre për të ushtruar kompetencat dhe për të ofruar shërbime ndaj qytetarëve.
Raporti vëren gjithashtu mungesën e autonomisë së qarqeve dhe nevojën për forcimin e kapaciteteve vendimmarrëse të institucioneve vendore.
Për të adresuar këto probleme, Kongresi kërkon që reforma territoriale të mbështetet në parimet e decentralizimit dhe subsidiaritetit, duke garantuar konsultime reale me komunitetet për çdo ndryshim të kufijve administrativë.
Njëkohësisht, rekomandohet forcimi i autonomisë financiare dhe administrative të bashkive, zgjerimi i kompetencave vendimmarrëse dhe përmirësimi i kushteve të punës për administratën vendore.
Kongresi fton gjithashtu autoritetet shqiptare të shqyrtojnë mundësinë e zgjedhjes së drejtpërdrejtë të anëtarëve të këshillave të qarkut, si dhe të ratifikojnë Protokollin Shtesë të Kartës Europiane të Vetëqeverisjes Vendore për të drejtën e pjesëmarrjes në çështjet e pushtetit vendor, të cilin Shqipëria e ka nënshkruar në vitin 2016.
Gjetjet e raportit vendosin në fokus mënyrën se si janë marrë vendimet për organizimin territorial të vendit dhe nevojën që çdo reformë e ardhshme të garantojë pjesëmarrjen reale të qytetarëve, në vend të konsultimeve që mbeten vetëm në nivel formal.