Skip to content
Të Gjitha

Kërkesa e Arta Vorpsit për njohjen e mandatit, reagon Gjykata Kushtetuese

· 3 min lexim

Kandidatja e Gjykatës Kushtetuese, që u votua nga Parlamenti, Arta Vorpsi, ka bërë hapin e radhës.

Pas betimit te noterja ditën e djeshme, ajo ka kërkuar nga anëtarët e gjykatës, që të njohin mandatin e saj.

Kërkesa i është drejtuar Vitore Tushës, Besnik Muçit, Elsa Toskës, Fiona Papajorgjit.

Në kërkesën e saj thuhet: “I jam drejtuar zyrtarisht Gjykatës Kushtetuese dhe drejtueses se saj dhe po pres fillimin edhe administrativisht të marrëdhënieve të punës.”

Gjykata Kushtetuese në një reagim për mediat ka sqaruar pozicionin e saj.

Në njoftim sqarohet, se ky organ ende nuk e ka kuorumin e nevojshëm për të shqyrtuar një çështje.

Më tej thuhet se Gjykata Kushtetuese po ndërmerr të gjithë hapat e nevojshëm, për të fillimin e detyrës së anëtarëve të betuar para presidentit.

Kjo la të nënkuptohet se gjykata ka njohur Marsida Xhaferllarin si anëtare të saj, në vend të Arta Vorpsit.

Njoftim për median:

Jemi njohur me Rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë sot, në datën 15.11.2019, për “Shmangien e krizës kushtetuese me synim legjitimitetin e Gjykatës Kushtetuese – detyrë imperative e organeve më të larta të shtetit”.

Në citim të Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë zgjidh mosmarrëveshjet kushtetuese dhe bën interpretimin përfundimtar të saj. Gjykata Kushtetuese i nënshtrohet vetëm Kushtetutës.

Për sa më sipër, lidhur me Rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, Gjykata Kushtetuese sqaron se, edhe pas plotësimit të disa prej vakancave në përbërjen e saj, nuk e ka ende kuorumin e nevojshëm për të shqyrtuar dhe vendosur në seancë gjyqësore lidhur me kërkesat që paraqiten përpara saj.

Për këtë arsye ajo nuk mund të ushtrojë kompetencat e saj thelbësore apo juridiksionale lidhur me zgjidhjen e konfliktit të kompetencave midis pushteteve apo organeve kushtetuese, si dhe as ato kompetenca që lidhen me shqyrtimin e kushtetutshmërisë së akteve të nxjerra nga organet e pushtetit publik.

Në këto kushte, Gjykata Kushtetuese si një institucion i pavarur, duke zbatuar Kushtetutën dhe ligjin e saj organik dhe legjislacionin në fuqi, si dhe praktikat administrative të ndjekura ndër vite, me qëllim sigurimin e kushteve normale për mbarëvajtjen dhe mirëfunksionimin e veprimtarisë së saj, është duke ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme administrative formale për fillimin e detyrës së tri anëtarëve të rinj, pas betimit të tyre para Presidentit të Republikës.

Kujtojmë këtu se ditën e sotme, Kuvendi votoi një rezolutë kundër dekretimit të Marsida Xhaferllarit, si anëtare e Gjykatës Kushtetuese.