Karburantet “godasin” transportin publik, nga sot reduktohet deri në 30% flota e autobusëve

Rritja e kostove të karburantit nis të japë pasoja direkte edhe në transportin publik. Duke filluar nga sot, 1 shtator, flota e autobusëve urbanë dhe interurbanë do të reduktohet me 20 deri në 30%, në varësi të kapaciteteve financiare të operatorëve.
Vendimi është njoftuar nga Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban dhe Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas, të cilat e lidhin reduktimin e mjeteve në qarkullim me rritjen e kostove të karburantit dhe vështirësitë financiare me të cilat po përballen operatorët.
Shoqatat i janë drejtuar me një kërkesë Kryeministrisë, Bashkisë Tiranë, Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, si dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, duke kërkuar ndërhyrje urgjente nga institucionet.
Sipas tyre, reduktimi i flotës do të jetë në masën 20-30%, ndërsa niveli konkret do të varet nga mundësitë financiare të secilit operator për të përballuar kostot.


Shoqatat kërkojnë që institucionet përgjegjëse të japin me urgjencë një përgjigje konkrete për kërkesat e paraqitura, ndërsa nga sot pasojat e situatës pritet të reflektohen drejtpërdrejt në numrin e autobusëve të transportit publik që do të jenë në qarkullim.