Kapet me armë te banesa e të akuzuarit për vrasjen e Santiago Malkos, shoqërohet kushëriri i Ervis Martinajt

Emiliano Nina, kushëriri i të zhdukurit Ervis Martinaj, është shoqëruar në polici pasi u kap me armë pranë banesës së Ilir Selmanit, i akuzuar për vrasjen e ish efektivit të policisë Santiago Malko. Bashkë me Ninën është shoqëruar edhe një person tjetër.
Sipas informacioneve paraprake, Emiliano Nina është konstatuar pranë derës së banesës së Selmanit, ndërsa rrethanat e pranisë së tij në atë vend dhe qëllimi i takimit mes tyre mbeten ende të paqarta dhe po hetohen nga autoritetet.
Ilir Selmani u lirua nga paraburgimi vetëm pak ditë më parë, por vijon të mbahet në arrest shtëpie me mbikëqyrje policore. Masa u kërkua nga prokurori Behar Dibra, u miratua nga gjykata dhe u zbatua nga Policia e Shtetit.
Selmani është një nga të pandehurit në procesin gjyqësor për vrasjen e ish policit Santiago Malko. Ai ishte dënuar me 28 vite burg nga Apeli i Posaçëm, por vendimi u prish më pas nga Gjykata e Lartë, e cila urdhëroi rigjykimin e çështjes.
Për shkak të përfundimit të afateve të paraburgimit, Apeli i ndryshoi masën e sigurisë nga arrest në burg në arrest shtëpie. Prokuroria e konsideron Selmanin një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, ndërsa procesi ndaj tij vijon ende në gjykatë.
Shoqërimi i Emiliano Ninës me armë pranë banesës së Selmanit ka rikthyer sërish vëmendjen te kjo dosje e bujshme, ndërsa policia po punon për të zbardhur arsyen e takimit dhe nëse ekziston ndonjë lidhje me hetimet në vijim.