“Kapeni këtë, merreni atë”/ Nga 7 vjet burg deri në përjashtim: Çfarë parashikon ligji për policët që ndalojnë protestuesit paligjshmërisht

“Kapeni këtë”. “Merreni atë”. Në ditën e 117-të të protestës kundër qeverisë, skena e përsëritur prej muajsh u shfaq sërish në rrugët e Tiranës: efektivë policie që nxjerrin qytetarë nga protesta dhe i dërgojnë drejt komisariatit.
Raportimet e kësaj të enjteje konfirmojnë shoqërimin e disa protestuesve gjatë tubimit para Kuvendit dhe Ministrisë së Brendshme. Protestuesit kanë kundërshtuar ndërhyrjet, duke pretenduar se nuk kanë kryer vepra penale/
Pikërisht këtu fillon pyetja që duhet t’i bëhet Policisë së Shtetit për çdo qytetar që nxirret nga turma:
Për çfarë konkretisht po e merrni?
Jo çfarë po bën turma. Jo çfarë po thërrasin protestuesit. Jo nëse protesta është e bezdisshme për qeverinë. Por çfarë ka bërë ai qytetar konkret, që justifikon kufizimin e lirisë së tij?
Sepse ligji shqiptar nuk njeh si bazë juridike urdhrin “kapeni këtë”.
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë është e prerë. Neni 27 përcakton se askujt nuk mund t’i hiqet liria përveç rasteve dhe sipas procedurave të parashikuara me ligj. Ndërsa neni 47 garanton lirinë e tubimeve paqësore dhe pa armë dhe pjesëmarrjen në to.
Pra pjesëmarrja në protestë, në vetvete, nuk është shkak për ta futur dikë në furgon.
Edhe Kodi i Procedurës Penale vendos kufij shumë konkretë. Arrestimi në flagrancë lidhet me kryerjen e një vepre penale ose me situatat e përcaktuara shprehimisht nga ligji. Madje neni 254 shkon edhe më tej: arrestimi ose ndalimi nuk lejohet kur nga rrethanat rezulton se veprimi është kryer gjatë ushtrimit të një të drejte të ligjshme.
Por Policia ka edhe një instrument tjetër, atë që ligji i ri nr. 82/2024 e quan “ndalim i përkohshëm policor”.
Edhe ky nuk bëhet sipas dëshirës së efektivit.
Neni 19 përcakton rastet kur mund të përdoret: kur personi refuzon të identifikohet, kur duhet parandaluar një veprim i rrezikshëm ndaj jetës, shëndetit apo pronës, kur personi duhet mbrojtur nga një rrezik ose për zbatimin e masave të caktuara kufizuese administrative. Masa nis në momentin kur personi ndalohet dhe nuk mund të zgjasë më shumë se pesë orë. Qytetari duhet të informohet menjëherë për arsyen, ka të drejtë të komunikojë me një person të besuar ose me avokatin dhe policia duhet të regjistrojë orën e saktë dhe shkakun e ndalimit. Mosrespektimi i këtij detyrimi cilësohet nga vetë ligji si shkelje e rëndë disiplinore.
Pra edhe ajo që në komunikimin publik quhet shpesh thjesht “shoqërim” nuk është një zonë pa ligj.
Nuk ekziston një kategori juridike ku policia mund të marrë një qytetar, ta fusë në makinë, ta çojë në komisariat, ta mbajë disa orë dhe pastaj ta lërë të dalë sikur asgjë nuk ka ndodhur.
Nëse i kufizohet liria, duhet të ekzistojë baza ligjore. Dhe kjo çështje tashmë nuk është teorike.
Më 17 shtator, vetëm një javë përpara protestës së sotme, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i vlerësoi të paligjshme arrestimet në flagrancë të 12 protestuesve të ndaluar pas tubimit të 14 shtatorit dhe nuk caktoi ndaj tyre asnjë masë sigurie.
Edhe më 4 shtator u raportua se Gjykata e Tiranës liroi 14 protestues të arrestuar pas tubimit të 1 shtatorit, duke e cilësuar arrestimin të paligjshëm.
Nëse gjykata konstaton arrestime të paligjshme, çfarë ndodh me policët që i kanë kryer? Po me eprorët që kanë dhënë urdhrat?
Përgjigjja gjendet në Kodin Penal.
Neni 250, “Kryerja e veprimeve arbitrare”, parashikon deri në 7 vjet burg.
Dispozita përfshin si kryerjen e veprimeve arbitrare, ashtu edhe dhënien e urdhrave arbitrare nga një punonjës që ushtron funksion shtetëror ose shërbim publik, kur këto veprime prekin lirinë e shtetasve. Dënimi është me gjobë ose burgim deri në shtatë vjet.
Me fjalë të tjera, ligji nuk pyet vetëm kush e kapi qytetarin nga krahu.
Pyet edhe:
Kush tha “kapeni”?
Kush urdhëroi “merreni”?
Kush vendosi që ai person duhet të largohej nga protesta?
Dhe mbi çfarë baze ligjore e bëri?
Kodi Penal parashikon përgjegjësi edhe për atë që sheh se një qytetar mbahet në një gjendje të paligjshme dhe nuk ndërhyn. Neni 251, “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme”, parashikon gjobë ose burgim deri në tre vjet për funksionarin që vihet në dijeni se liria e një shtetasi është cenuar si rezultat i një veprimi arbitrar dhe nuk merr masa ose nuk kërkon ndërprerjen e kësaj gjendjeje.
Pra zinxhiri i përgjegjësisë mund të mos mbarojë tek efektivi që vendos prangat.
Ligji për Policinë e Shtetit e bën këtë edhe më të qartë.
Neni 91 i ligjit nr. 82/2024 përcakton se polici duhet të veprojë me profesionalizëm dhe paanshmëri, të respektojë dinjitetin, integritetin, të drejtat dhe liritë e individit dhe Kushtetutën e legjislacionin në fuqi.
Punonjësi i policisë “mban përgjegjësi individuale për ligjshmërinë e çdo veprimi ose mosveprimi gjatë kryerjes së detyrës”.
Kjo rrëzon edhe alibinë më të vjetër të çdo strukture hierarkike:
“Ma dha urdhër shefi.”
Jo çdo urdhër duhet zbatuar.
Neni 92 përcakton se polici ka detyrimin të zbatojë urdhrat e ligjshëm. Nëse dyshon se urdhri është i paligjshëm, duhet t’ia bëjë këtë të ditur eprorit dhe, kur është e mundur, të kërkojë urdhrin me shkrim. Nëse vazhdon të ketë arsye për të dyshuar për paligjshmërinë, ligji i kërkon ta kundërshtojë urdhrin dhe të vërë në dijeni një nivel më të lartë drejtues, me përjashtimin specifik të rastit kur moszbatimi rrezikon jetën e një personi tjetër.
Pra uniforma nuk e transferon përgjegjësinë te shefi dhe grada nuk e bën një urdhër të paligjshëm të ligjshëm.
Pastaj vjen dhuna.
Ligji nr. 82/2024 nuk i jep policisë të drejtë të përdorë forcën sepse një protestues nuk largohet aq shpejt sa dëshiron kordoni policor. Neni 32 përcakton se forca përdoret vetëm kur është e domosdoshme dhe kur masat e tjera kanë qenë të pasuksesshme ose të pamundura. Ajo duhet të jetë proporcionale dhe e përshkallëzuar; si rregull, përdorimi dhe përshkallëzimi i saj duhet të paralajmërohen, përveç rastit kur ekziston një rrezik real dhe i çastit.
Kjo do të thotë se për çdo pamje ku një qytetar tërhiqet, shtyhet, goditet apo neutralizohet me forcë, pyetja ligjore nuk është “a ishte protestues?”.
Pyetja është: a ishte ajo forcë e domosdoshme dhe proporcionale në atë situatë konkrete?
Edhe brenda vetë Policisë, këto veprime mund të kenë pasoja serioze.
Neni 121 i ligjit për Policinë rendit mes shkeljeve disiplinore keqpërdorimin e atributeve dhe kompetencave të policisë që sjell pasoja të rënda, përdorimin e paligjshëm dhe të paarsyeshëm të forcës, moszbatimin haptazi të dispozitave ligjore dhe veprimet në kundërshtim me ligjin që u shkaktojnë dëme palëve të treta.
Ndërsa neni 123 parashikon një shkallë masash që shkon nga vërejtja dhe paralajmërimi, te ulja e pagës deri në 40% për një vit, shtyrja e gradimit deri në pesë vjet, ulja në gradë, pezullimi nga tre muaj deri në dy vjet dhe përjashtimi nga Policia e Shtetit.
Këto janë ligjet.
Dhe pikërisht për këtë nuk mjafton më që pas çdo proteste publiku të mësojë vetëm sa qytetarë “u shoqëruan” dhe sa prej tyre dolën disa orë apo disa ditë më vonë.
Duhet të dimë kush i mori, kush dha urdhrin, për çfarë arsye, mbi cilin nen dhe çfarë ndodhi më pas me policin apo drejtuesin kur gjykata konstatoi se arrestimi ishte i paligjshëm.
Sepse kur një gjykatë thotë se arrestimi ishte i paligjshëm, historia nuk duhet të përfundojë me hapjen e derës së qelisë.
Duhet të fillojë pyetja për përgjegjësinë.
Në të kundërt, krijohet mekanizmi më i rrezikshëm i mundshëm: qytetari humbet lirinë, kalon orë apo ditë në komisariat, gjykata e liron, ndërsa për personin që e ka futur aty nuk ndryshon asgjë.
Pastaj vjen protesta tjetër.
Dhe përsëri dëgjohet:
“Kapeni këtë.”
“Merreni atë.”
Por Kodi Penal ka edhe një fjali tjetër për këtë histori: kur urdhri ose veprimi arbitrar i një funksionari prek lirinë e qytetarit, dënimi mund të shkojë deri në shtatë vjet burg.
Ligji është aty.
Pyetja është se kur do të fillojë të zbatohet edhe për ata që e zbatojnë ligjin mbi të tjerët.