Skip to content
Të Gjitha

Jepnin çertifikata fiktive kundrejt parave, punonjësi i Hipotekës “fundos” kolegët

· 2 min lexim

Disa ish-zyrtarë të Hipotekës së Korçës janë dërguar në gjykatë si të pandehur, nisur nga një hetim i organit të akuzës.

Prokurorja Dhorina Theodhori çoi përpara togave të zeza, Ersild Gorarin, zv. Kryeregjistruesen Arsidesa Hysi, kryeregjistruesi Leftjon Bardho dhe punonjësit e Hipotekës Erion Arifi dhe Andra Zallemi.

Rastet korruptive janë zbuluar nga dëshmia e një punonjësi që ka shfaqur pendesë.

Sipas “Shqiptarja.com”, Ersild Gorari, i cili është nën akuzë për “Shpërdorim detyre”, ka pranuar të bashkëpunojë me Prokurorinë dhe të tregojë skemën e falsifikimit të çertifikatave  të pasurive.

Fillimisht çështja penale ka nisur kundër tij, por punonjësi ka shfaqur pendesë dhe ka pranuar bashkëpunimin.

Në këtë moment dosja penale është tërhequr nga Gjykata e Korçës, për të vijuar hetimet.

Nga verifikimi rezulton se zyrtarët e hipotekës paisnin me certifikata pasurie, qytetarë që nuk kishin aplikuar asnjëherë për këtë shërbim.

Për më tepër ata zhduknin regjistrat hipotekorë, duke ia lënë në dorë plotësimin e tyre njerëzve të panjohur, për të shmangur përgjegjësinë nëse do të bëhej ekspertiza e shkrimit.

Shuma që merrnin zyrtarët e hipotekës për këtë shërbim, vijon nga 400 mijë lekë deri në 10 milion lekë të vjetra.

Fillimisht ndaj zyrtarëve u vendos “Arrest me burg”, por Apeli liroi disa prej tyre nga qelitë kundrejt garancive pasurore.

Momentalisht dosja e tyre është dërguar për gjykim në Gjykatën e Korçës.