Skip to content
Kryesore

“Jam shkrimtar, Noizyt i bëra ‘diss’ artistik”/ Cllevio në Gjykatë: Shkova t’i kërkoja falje, më sulmuan 12 veta dhe më shkelmuan në kokë”

· 4 min lexim

Kleviol Ahmetaj, i njohur si Cllevio, ka dëshmuar këtë të mërkurë në Gjykatën e Posaçme në procesin ndaj të pandehurve të akuzuar si pjesë e grupit kriminal të drejtuar nga Laert Haxhiu.

Gjatë dëshmisë së tij, Ahmetaj deklaroi se nuk ka asnjë lidhje familjare apo miqësore me Haxhiun, pavarësisht se e njeh prej fëmijërisë në Lushnjë.

“Me Laert Haxhiun kam njohje. Jetoj në Lushnjë; Laerti është jo më larg se 150 metra larg shtëpisë sime. Jemi rritur bashkë, njihemi familjarisht. Në vitin 2007 kemi luajtur futboll. Kam qenë në Amerikë dhe kur kthehesha rrija në Lushnjë. Kur e kam njohur Laertin, ka qenë pa punë. Viteve të fundit nuk e kam takuar fare. Vij nga SHBA-ja në vitin 2013 dhe në 2014 rashë në burg, dhe kam dalë në vitin 2020 nga burgu; nuk jam takuar më me të. As telefonata dhe asnjë lloj kontakti nuk kam pasur me Laertin”, dëshmoi ai.

Ahmetaj u ndal edhe te konflikti i tij me reperin Rigels Rajku, duke pretenduar se përplasja mes tyre nisi përmes këngëve dhe mesazheve artistike.

“Me Rigels Rajkun kam njohje artistike. Ai është muzikant i njohur dhe unë kam qenë muzikant i panjohur. Ky Rigels Rajku, për të marrë famë, shante Viktor Palokën, të njohur si Unikkatil. Ne kur na shante Noizy, ishim në Amerikë. Pas 15-20 vitesh ia ktheva edhe unë në muzikë duke sharë Noizyn. Unë jam shkrimtar, shkruaj tekste muzike. Kur dola në vitin 2020, doja të bëhesha i famshëm dhe fillova të bëj ‘diss’ në mënyrë artistike”, tha ai.

Sipas Cllevios, pasi vendosi t’i jepte fund konfliktit, shkoi në Durrës për t’i kërkuar falje Noizyt, por situata përfundoi në dhunë fizike.

“Një ditë të bukur i thashë vetes: ‘Boll me diss’, dhe shkova t’i kërkoja falje. Kur vajta te lokali ‘Zins’ në Currila, u parkova dhe u thashë shokëve të mos dilnin nga makina. Kur vajta aty, doli Rigels Rajku dhe rreth 12 veta. Aty më rrahën, më shkelmuan në kokë me këmbë. Pata mpiksje gjaku në kokë. Shkova në spital, u mjekova dhe u arrestova sepse isha në arrest shtëpie dhe përfundova në burg”, deklaroi ai.

Ahmetaj tregoi se para se të shkonte në lokal kishte njoftuar publikisht lëvizjet e tij përmes një transmetimi live në Instagram.

“Unë e kisha njoftuar se po i shkoja te lokali dhe kisha hapur Instagram live duke thënë se po shkoja në Durrës te Noizy. Kur hyra te lokali, ishte një roje; i thashë të ma thërriste Noizyn. Ai erdhi për 24 sekonda dhe erdhi bashkë me bandën e tij OTR. Kur erdhi Noizy, hoqa syzet për ta respektuar dhe në atë moment më goditi me grusht dhe u godita nga 6-8 veta”, tha ai.

Sipas dëshmisë së tij, në konflikt u përfshinë edhe dy miqtë që e shoqëronin, ku njëri prej tyre pësoi thyerje të dhëmbëve.

“Unë kam pasur dëmtime në kokë dhe brinjë. Është dokumentuar me pamje filmike që më godasin. Nuk mendova të hakmerresha ndaj Noizyt”, deklaroi Ahmetaj.

I pyetur për shpërthimin me tritol në lokalin e Noizyt, Cllevio tha se ngjarjen e kishte mësuar vetëm pasi ndodhej në burg dhe mohoi të kishte dijeni për autorët.

“Kur shkova në sektor, e mora vesh që kishte ndodhur shpërthimi pas disa ditësh. Pastaj më thirri një oficer policie në Durrës dhe më tha se ka një hetim për shpërthimin me tritol. Unë i thashë se nuk e di kush ia ka vendosur tritolin, sepse isha në burg. E mendova me vete kush mund ta ketë bërë, dhe mendova se mund ta kishte bërë ‘BABA’. Nuk më ka ardhur asnjë lajm që Laerti ta ketë bërë këtë gjë. Marjus Tahanin nuk e njoh fare. Nuk pajtohem me Rigelsin”, përfundoi ai.