“Jam i turpëruar”, Haradinaj kundër pjesëmarrjes së shqiptarëve të Kosovës në protestat në Tiranë

Ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar në një intervistë për T7 lidhur me pjesëmarrjen e shqiptarëve të Kosovës në protestat në Tiranë.
Haradinaj u shpreh se ndihet “i turpëruar” që qytetarë nga Kosova po marrin pjesë në protesta për çështje të brendshme politike të Shqipërisë, duke theksuar se këto duhet t’i zgjidhin vetë qytetarët shqiptarë.
“Unë po ndihem i turpëruar me faktin që po shkojnë njerëz nga Kosova me protestuar në Tiranë. I turpëruar. Sikur kufijtë e Shqipërisë sulmoheshin nga ndonjë armik e vëllazërit shqiptarë shkonin me mbrojtë kufijtë, zhvillime të brendshme politike, të shkohet prej këtu me protestuar është gabim, as e ndihmojnë protestën, as ndonjë kauzë.
Është gabim me shkuar shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë, janë çështje të vëllezërve dhe motrave të Shqipërisë, pse shkojmë ne atje? Çfarë logjike ka kjo? Përdorja e simboleve të UÇK? Çka po i përdor? Arsyeja? Nuk ka arsye. Është gabim kjo logjikë. Jam ndjerë i turpëruar, më ka ardhur marre mu.
Ata që dalin në Tiranë në protesta, pse o vlla me ardhur kosovarë? Ata i kryejnë vetë punët e veta, janë më të zotë se ne. Shqipëria, ne jemi më në telashe, ne jemi hala në territor probleme me rend, probleme të tjera. Ku u bomë na që i krymë punët tona me shku atje?! Rri këtu, puno, merru me temat tua.
Dritan Goxhaj? Unë nuk du me u lëshu në thellësi të asaj që po ndodh atje, nuk e njoh mjaftueshëm personin që i lexoi ato, kam dëgjuar fjalë për babën e tij, por nuk du me i lidh me këto, pse kosovarët? Pse shqiptarët e Maqedonisë, çka lypin atje? Është marrë. Më beso. Rri në punën tonë, ata i kryejnë punët e veta.
Është normale me shku në Maqedoni me i ndihmu për punën e gjuhës apo Preshevës, por me shku na për këto ligje apo vendime në Shqipëri apo ndërrim të qeverisë?! Është çështje e tyre, i bëjnë protestat dhe ne i respektojmë, por me shkuar atje është pak e rëndë. Është gabim, do u kisha thënë njerëzve, përmbahuni, ata janë vëllezër dhe motrat tona, mos u përfshini. Por nëse preken kufijtë, po.
Dikush mund me kujtu se po e mbroj qeverinë nga protestuesit… Mos ta keqkuptojë kush… Unë nuk e di kush pëson më shumë prej kësaj shkuarje… Ndoshta protesta, protestuesit. Unë po flas parimisht, nuk ka logjikë ti me u çuar me protestuar atje. Rri more në shtëpinë tënde. Pastaj organizimi, autobusa, grupe…
A i ke punët mirë në Kosovë a? Rri këtu. Shqipëria është 2-3 vjet prej anëtarësimit në BE, kanë me ia gjet zgjidhjen qeverisjes, a kanë me lanë këta, a kanë me pru tjetër, ky është problemi i tyre. Po ne ku jemi? Procesi i integrimit në OKB, KiE, NATO, BE, problemet me energjinë… Pse po shkon ti atje me e ndihmu, nuk është ashtu…”, u shpreh Haradinaj.
Deklarata e tij ka ngjallur debat në opinionin publik dhe në rrjetet sociale, në një kohë kur protestat në Tiranë vijojnë prej javësh dhe pjesëmarrja e shqiptarëve të Kosovës është bërë pjesë e diskutimit publik.