“Jam i shokuar dhe i zemëruar”/ Gjenerali i NATO-s kundër dënimit të krerëve të UÇK-së: Nuk kam parë asnjë dëshmi që ta justifikojë

Gjenerali amerikan Wesley Clark ka reaguar ashpër ndaj dënimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Gjykata e Hagës, duke deklaruar se është “i shokuar dhe i zemëruar” nga vendimi dhe se, nga ajo që ai ka parë dhe di për luftën në Kosovë, nuk ka hasur asnjë dëshmi që të justifikojë një përfundim të tillë.
Clark, i cili ka dëshmuar edhe vetë në procesin gjyqësor, tha se e njihte Hashim Thaçin dhe drejtuesit e tjerë të UÇK-së, ndërsa rikujtoi bashkëpunimin me ta gjatë konfliktit në Kosovë.
“Jam i shokuar dhe i zemëruar. Unë e njoh Thaçin dhe shokët e tij dhe të gjithë ata që kanë bërë luftën. Unë kam dëshmuar në gjyq kam thënë se çfarë kam parë dhe e dija se çfarë po ndodhte në Kosovë dhe bashkëpunimin tonë me UÇK-së dhe nuk kam parë asnjë dëshmi që të justifikojë këtë lloj vendimi.
Fatkeqësisht Gjykata e dha vendimin e vet dhe kjo do të jetë një rrugë e vështirë në të ardhmen. Me aq sa di, këto dëshmitë sekrete që edhe vetë nuk më treguan asnjë dëshmi nga prokuroria, nuk do të më bënin dhe që të ndryshonin mendimin tim. Unë jam takuar tre herë me Hashim Thaçin gjatë konfliktit dhe në Rambuje.
Sigurisht e takova atë kur isha në Kosovë, por UÇK-ja dhe ajo çfarë po ndodhte atje ishte një rebelim kundër një regjimi autoritar dhe jo vetëm një regjim autoritar, por edhe shumë krime individuale të kryera nga serbë individualë përkundër fqinjëve të tyre shqiptarë.
Dhe siç e kam shpjeguar dhe në gjykatë edhe sot kishte me shumë emocion me njerëz që kishin njohur njëri-tjetrin dhe shqiptarët u ndjen të tradhtuar nga fqinjët e tyre serbë që kishin jetuar një jetë së bashku, por sigurisht që ishin ndjesi të forta dhe këtë mendova se Hashim Thaçi bëri një punë të shkëlqyer për të ruajtur edhe popullatën e pafajshme serbe, si për ata të cilët ë që ishin mbi lumin Ibër që i shtyn shqiptarët më poshtë. Pra kam patur shqetësime për më tej, por nuk mund të thosha që Thaçi ishte dikush që të mund të dënohej për krime lufte”, tha Clark.
Gjenerali amerikan theksoi kështu se qëndrimi i tij mbetet i pandryshuar edhe pas vendimit të Hagës. Ai e përshkroi UÇK-në si një forcë që u ngrit kundër një regjimi autoritar dhe vuri në dukje se, nga përvoja dhe kontaktet e tij gjatë konfliktit, nuk kishte parë elemente që ta çonin në përfundimin se Thaçi duhej të dënohej për krime lufte.
Clark shkoi më tej edhe për rolin e Thaçit gjatë konfliktit, duke deklaruar se ai kishte bërë “një punë të shkëlqyer” për mbrojtjen edhe të popullsisë së pafajshme serbe.
Reagimi merr peshë të veçantë për shkak të rolit që Wesley Clark kishte gjatë luftës së Kosovës. Ai ishte gjenerali që drejtonte strukturën ushtarake të NATO-s në Europë gjatë ndërhyrjes së Aleancës në vitin 1999 dhe, siç thekson vetë, kishte kontakte të drejtpërdrejta me drejtuesit e UÇK-së dhe njohuri nga afër për zhvillimet e asaj periudhe.