Skip to content
Të Gjitha

Ishte kthyer nga zona e kuqe në Itali, gjobitet 29-vjeçari që theu urdhërin e vetëkarantinimit

· 1 min lexim

Policia po vijon me kontrollet në banesat e personave të kthyer nga Italia, për të parë nëse po e zbatojnë apo jo urdhërin e kryeministrit Edi Rama për vetëkarantinim.

Në vijim të aksionit, është gjobitur me 700.000 lekë, një 29-vjeçar me iniciale E.S. në Dibër.

Ky i fundit është kthyer nga Italia më 3 mars dhe është njoftuar nga policia e zonës, që të vetëkarantinohet për 14 ditë, pasi vinte nga një zonë e prekur nga COVID-19.

Gjatë kontrolleve është konstatuar se ky person ka frekuentuar ambjente të jashtme në fshatin e tij.

Policia ka përsëritur sërish thirrjet për shtetasit që kanë ardhur nga Italia, që të respektojnë rregullat e vetëkarantinimit.

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi pak ditë më parë, se personat që nuk zbatojnë rregullat e vetëkarantinimit do të gjobiten me 5 mijë euro dhe nuk do të mund të dalin dot jashtë territorit të Shqipërisë pa e shlyer.

Gjithashtu qeveria ka ndërmarrë një sërë masash të tjera shtrënguese, duke kufizuar qarkullimin e mjeteve dhe të këmbësorëve.

Aktualisht në vendin tonë, numri i të prekurve nga koronavirusi ka shkuar në 51, ku 20 prej të prekurve janë të shtruar në repartin e Infektivit.