Skip to content
Të Gjitha

Infarkti para Vettingut, gjyqtari që liroi Lulzim Berishën del për herë të dytë para KPK

· 2 min lexim

Gjyqtari i Apelit të Durrësit, Arben Vrioni, do të dalë sot për herë të dytë përpara Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Në seancën e parë të zhvilluar ditën e djeshme, trupa gjykuese e përbërë nga Firdes Shuli, Alma Feskaj dhe Pamela Qirko, nuk arriti të lexonte konkluzionet e hetimit të pasurisë, shkruan “Shqiptarja.com”.

Arben Vrioni është kreu i trupës gjykuese që liruan para afatit ish-kreun e bandës së Durrësit, Lulzim Berishën.

Që në fillim të seancës, Vrioni kërkoi përjashtimin e trupës gjykuese, me pretendimin se ishte e njëanshme.

Gjithashtu ai tha se kishte kaluar një infarkt dhe mjekët i kishin rekomanduar të mos kishte shqetësime gjatë kësaj kohe.

Vrioni kërkoi më shumë kohë për t’u njohur me gjetjet e Komisionit të Vettingut dhe me procedurën e hedhjes së shortit për përzgjedhjen e trupës gjykuese.

Ndër të tjera ai kërkoi edhe avokat, me pretendimin se është sëmurë dhe nuk mund të mbrohet vetë.

Të gjitha këto kërkesa u rrëzuan nga KPK, pasi sipas trupës gjykuese, është lëvizje taktike që përdoret për të zvarritur procesin.

Të njëjtën strategji përdori edhe ish-Drejtuesja e Njësisë për Dekriminalizimin në Prokurorinë e Përgjithshme, Rovena Gashi, e cila paraqiti 11 kërkesa, të cilat KPK i hodhi poshtë.