Skip to content
Të Gjitha

I shpëtoi atentatit me 100 plumba ku u vra halla e tij, kjo është dosja e zezë e Marklen Hakës

· 2 min lexim

Marklen Haka është 28-vjeçari që i shpëtoi atentatit me 100 plumba mbrëmjen e së shtunës.

Si pasojë e të shtënave humbi jetën halla e tij, Shpresa Basha.

Ndërkohë Haka ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.

Policia dyshon se shkak për atentatin, është bërë e shkuara kriminale e Hakës, shkruan “Panorama”.

I riu është arrestuar për herë të parë më 29 qershor të 2011-ës, për vrasjen e biznesmenit, Nadien Zeneli.

Megjithatë, 28-vjeçari arriti që t’i shpëtonte burgut, pasi vrasja nuk u provua asnjëherë.

Policia dyshonte asokohe, se shkak për vrasjen ishte bërë eliminimi i Roland Lutfi Hakës në 2004-ën në Krujë.

Haka mendonte se Zeneli ishte autori i vrasjes së të afërmit të tij.

Më 20 dhjetor të 2016-ës, Haka arrestohet si i përfshirë në atentatin me eksploziv ndaj shtetasit Edmond Bejtja.

Ky i fundit për fat të mirë mori vetëm disa plagë të lehta.

Bejtja është dëshmitari i vetëm, i dyshuar për vjedhjen e makinës me të cilën u krye vrasja e kryekomisar Dritan Lamajt.

Gjithashtu Haka u arrestua në shtator të vitit të kaluar së bashku me babanë e tij, për armëmbajtje pa leje, gjatë operacionit të RENA-s në Nikël të Fushë-Krujës.

Gjykata e dënoi me 1 vit e gjysmë burg, i cili u konvertua me një vit.