Gjykata e Durrësit ka caktuar masën “arrest me burg” për 57-vjeçarin Nikoll Radaçi, i akuzuar për aksidentin tragjik që i mori jetën dy të miturve dhe la një tjetër të plagosur. Avokatja e tij, Arta Gecaj, ka dhënë detaje nga seanca gjyqësore, duke theksuar se i pandehuri ka shprehur pendesë dhe ndodhet në gjendje të rënduar psikologjike.
Duke folur për mediat, ajo sqaroi se ndaj Radaçit rëndojnë tre akuza kryesore dhe se ai rrezikon një dënim nga 5 deri në 20 vite burg.
“Gjykata caktoi masën arrest me burg për të pandehurin. Nga prokuroria kanë ardhur 3 akuza që rëndojnë ndaj të pandehurit. Ai nuk ka folur para gjykatës, nuk ka dhënë asnjë shpjegim. Unë jam caktuar nga shteti për të realizuar mbrojtjen. Ai akuzohet për shkelje të rregullave të qarkullimit. Për drejtim të mjetit në gjendje të dehur dhe për shkaktim të vdekjeve. Ai rrezikon nga 5 deri në 20 vite parashikohet dënimi me burg. Po ashtu ai akuzohet dhe për largim nga vendi i aksidentit. Ai ka shprehur pendesë. Edhe sot dukej në gjendje të rëndë psikologjike. Atyre që ai ka shprehur, i qëndron akoma.”, tha ajo.
Aksidenti i rëndë ndodhi mesditën e 3 majit në zonën e ish-Kënetës në Durrës. Sipas hetimeve, Radaçi, duke drejtuar një automjet tip “Mercedes-Benz ML” me shpejtësi të lartë, përplasi tre fëmijë të moshave 8, 10 dhe 12 vjeç, të cilët ndodheshin në trotuar.
Si pasojë, dy prej tyre, 10 dhe 12 vjeç, humbën jetën në vend, ndërsa 8-vjeçari u transportua në spital në gjendje të rëndë.
Testet treguan se 57-vjeçari drejtonte mjetin në gjendje të dehur, me nivel alkooli 0.73 mg/l. Pas aksidentit ai u largua nga vendi i ngjarjes, duke pretenduar se kishte frikë nga reagimi i qytetarëve. Sipas të dhënave, kjo nuk ishte hera e parë që ai shkelte rregullat e qarkullimit, pasi i ishte pezulluar leja e drejtimit në vitet 2020 dhe 2022.







