Skip to content
Të Gjitha

“I frikshmi i Beratit” u lirua dje, arrestohet drejtori i burgut të Lushnjës

· 2 min lexim

Ditën e djeshme u lirua nga burgu “i frikshmi i Beratit”, Lul Caka. Ai është një nga emrat më të njohur në Shqipërinë e viteve 1997-1999.

Caka i shpëtoi dënimit me burg të përjetshëm. Ai u ekstradua nga Italia në vitin 2003 dhe vuajti 16 vite burgim, të cilat u konvertuan në 25 vite.

Por ditën e sotme, sipas sipas ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj, rezulton që Caka të jetë liruar 4 muaj para afatit pasi është llogaritur gabim afati i dënimit.

Gjonaj ka urdhëruar shpalljen menjëherë në kërkim të Lulzim Cakës dhe rikthimin e tij në burg.

Mësohet se është arrestuar në flagrancë drejtori i burgut të Lushnjes, Judmir Shurdha. Ky i fundit akuzohet për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre.

Po ashtu nga detyra janë shkarkuar edhe dy zyrtarë të tjerë. Lul Caka në vitin 1997 u bë tmerri i udhëtarëve në rrugët nacionale Berat-Fier dhe Berat–Lushnjë.

Ai madje një herë edhe është arratisur nga burgu duke sharruar hekurat e qelisë, për t’u hakmarrë ndaj personave që i vranë nënën.

Kjo e fundit u rrëmbye në derën e komisariatit të policisë në vitin 1999 dhe u gjet e masakruar në pyllin e Semanit.
Lulzim Caka pasi u betua për hakmarrje, u arratis nga burgu dhe në mes të fshatit Samaticë vrau dy nga autorët e vrasjes së nënës së tij Valter Bega dhe Mariglen Camin.