Skip to content
Të Gjitha

I dënuar për drogë në Greqi, të riut që plagosën në Mirditë i vranë babain 6 vite më parë

· 2 min lexim

Një plagosje me armë zjarri u regjistrua mbrëmjen e djeshme në Mirditë, në vendin e quajtur “Kroji i Shtogut”.

Frederik Leka, 26 vjeç, u dhunua fillimisht dhe më pas u plagos nga 4 persona.

Ai u dërgua me urgjencë drejt spitalit të Traumës në Tiranë.

“Panorama” shkruan, se shkak për plagosjen dyshohet se janë bërë konfliktet e vjetra mes palëve.

Frederik Leka është një person me precedentë të mëparshëm penalë.

I riu është dënuar në Greqi me 4 vite burg, për trafik të lëndëve narkotike.

Gjithashtu në 2013-ën, i kanë vrarë babain, Mark Leka me çifte pranë banesës, ngjarje kjo që nuk është zbardhur ende.

Njoftimi i policisë

Mirditë, Lezhë

Identifikohen dhe shpallen në kërkim autorët e dyshuar të plagosjes së shtetasit F. L., ndodhur mbrëmjen e djeshme.

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në vendin e quajtur “Kroji Shtogut” Mirditë, ku mbeti i plagosur me armë zjarri një shtetas, Policia ngriti një grup të posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.

Nga tërësia e veprimeve hetimore rezultoi se gjatë një konflikti për motive të dobëta,në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shtetasit A.N.,A.N., V.P. dhe A.P.,banues në Lezhë dhe Mirditë, kanë goditur me sende të forta dhe plagosur me armë zjarri shtetasin F. L.

Policia e Qarkut Lezhë vijon kontrollet intensive për gjetjen dhe kapjen e autorëve të dyshuar, të cilët janë shpallur në kërkim.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprime të mëtejshme hetimore.