Skip to content
Të Gjitha

I arrestuari i vetëm për vrasjen e ish-policit, Blendi Teta pretendon se është kërcënuar me jetë

· 2 min lexim

Blendi Teta është i arrestuari i vetëm për vrasjen e ish-policit, Santiago Malko.

Avokati i tij, i pyetur nga “TCH”, pretendon se Teta është kërcënuar me jetë.

Menjëherë pas masës së sigurisë, 39-vjeçari u dërgua larg Tiranës, në kushte të forta sigurie.

Mirëpo Teta pretendon se edhe aty ka marrë kërcënime për jetën.

Sipas avokatit mbrojtës, 39-vjeçari ishte frikësuar edhe para prangosjes, prandaj është vetëdorëzuar.

Policia ka disa pista për vrasjen e Santiago Malkos, duke qenë se dyshohet se është përfshirë në disa ngjarje kriminale.

Gjithashtu Malko është mik me Ervis Martinajn dhe ndodhej në lokalin në ish-bllok natën kur ndodhi vrasja.

Nga këqyrja e kamerave të disa bizneseve, u vu re se pak përpara krimit, Malko po ndiqej nga dy makina, në njërën prej të cilave ndodhej edhe Blendi Teta.

Ky i fundit ka pranuar të bashkëpunojë me hetuesit, duke nxjerrë emrat e vëllezërve Duka dhe një shtetasi nga Vlora, të cilët janë shpallur në kërkim.

Teta akuzohet nga Prokuroria për veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës, ndërsa nuk dihet ende nëse i është ofruar apo jo statusi i bashkëpunëtorit të drejtësisë.