Historike! Për të 40-ën ditë radhazi, qytetarët mbushin bulevardin me thirrjen: “Rama ik!”

Qindra e mijëra qytetarë janë mbledhur këtë mbrëmje për të 40-ën ditë radhazi para godinës së Kryeministrisë, në një protestë që shënon një moment historik për mobilizimin qytetar në vend.
Për herë të parë, protestat kanë vijuar pa ndërprerje për 40 ditë rresht, ndërsa mijëra protestues nga qytete të ndryshme të Shqipërisë kanë mbushur bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Me pankarta në duar dhe thirrje të vazhdueshme, protestuesit kanë përsëritur sloganet “Rama, dorëhiqu!”, “Poshtë qeveria!” dhe “Shqipëria është e qytetarëve”, duke theksuar se kërkesa e tyre mbetet e pandryshuar dhe e panegociueshme.
Në protestë marrin pjesë aktivistë të shoqërisë civile, përfaqësues të nismës “Revolucioni i Flamingove Rozë”, si edhe qytetarë që prej javësh i janë bashkuar tubimeve të përditshme në kryeqytet.
Sipas protestuesve, mobilizimi do të vijojë edhe në ditët në vazhdim, me tubime dhe fjalime publike, deri në realizimin e kërkesave të tyre.
Gjatë protestës së djeshme, një prej protestuesve, Arben Kola, mbajti një fjalim me tone të ashpra ndaj kryeministrit Edi Rama. Ai u bëri thirrje qytetarëve të bojkotojnë koncertin e këngëtarit Kanye West, i planifikuar të mbahet në Tiranë, ndërsa më pas përdori deklarata të forta ndaj kreut të qeverisë.
“Vazhdoni të prishni algoritmin dhe bojkotoni Kanye West bashkë me Ramoviçin, i cili është çmendur dhe shpresojmë që shumë shpejt të hidhet nga tarraca e Kryeministrisë dhe Shqipëria të shpëtojë. Mbase nesër që janë të 40-at ia hamë edhe hallvën dhe të shpëtojmë. Mbase nesër vendos të hidhet ose nga charteri që po vjen nga Turqia, ose nga tarraca e Kryeministrisë.
E mira e të mirave ishte siç e bëjnë në shtetet perëndimore ose në Indi, ku digjet trupi dhe hirin t’ia dërgojnë diku, në një kontinent tjetër. Që të mos e kemi hirin e tij, kockat e tij në tokën tonë. Një djall si Rama nuk i duhet vendit tonë as mbi tokë e as nën tokë”, u shpreh Kola.