“Hipokrite” dhe “e cekët”, Blendi Gonxhja përplaset me Enxhi Nasufin për koncertin e Kanye West, komenti që u fshi

Debati për koncertin e Kanye West në Tiranë është zhvendosur tashmë edhe në një përplasje të drejtpërdrejtë mes ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, dhe këngëtares Enxhi Nasufi. Gjithçka nisi pas reagimit të artistes, e cila kritikoi pjesëmarrjen masive në koncert dhe ngriti pikëpyetje për përdorimin e fondeve publike, ndërsa më pas mori një përgjigje të ashpër nga ministri, koment që u fshi pak më vonë.
Në reagimin e saj fillestar, Enxhi Nasufi kritikoi qytetarët që zgjodhën të ishin pjesë e koncertit, duke shkruar se “4 milionë e ca euro nga lekët e emergjencës” ishin përdorur për këtë aktivitet, ndërsa kujtoi se ka ende familje që presin banesat pas tërmetit dhe se vendi përballet çdo vit me zjarre e përmbytje.

Reagimi i saj solli menjëherë një kundërpërgjigje nga ministri Blendi Gonxhja, i cili në një koment në Instagram e cilësoi këngëtaren “HIPOKRITE” dhe “E CEKET”, duke e akuzuar se po fyente inteligjencën e shqiptarëve. Ministri mbrojti organizimin e koncertit, duke argumentuar se fondet e qeverisë janë investim dhe se sjellja e artistëve botërorë në Shqipëri përbën krenari, ndërsa theksoi se në koncert morën pjesë rreth 60 mijë persona, mbi 20 mijë prej tyre të huaj. Pak më pas, komenti u fshi.

Por përplasja nuk u mbyll aty.
Përmes reagimeve të tjera në InstaStory, Enxhi Nasufi iu drejtua sërish ministrit. Ajo e cilësoi shqetësues faktin që një ministër, i paguar me taksat e qytetarëve, gjen kohë të hyjë në komente për të etiketuar qytetarët si “hipokritë” dhe “të cekët”, ndërsa më pas e fshin komentin.
Ajo i kujtoi ministrit se ai ushtron një detyrë publike dhe paguhet nga taksat e qytetarëve, ndaj prej tij pritet maturi, përgjegjësi dhe dinjitet, jo etiketime për ata që mendojnë ndryshe.


Megjithatë, përtej kësaj përplasjeje publike, nuk duhet humbur thelbi i asaj që po ndodh në vend.
Qytetarët që shkuan në koncert e bënë për arsye të ndryshme. Disa mund të kenë qenë aty për interes ekonomik, disa u shitën, disa morën bileta falas për të mbushur radhët, disa sepse janë fansa të Kanye West, të tjerë thjesht sepse donin të ndiqnin një koncert të një artisti botëror. Po aq qytetarë zgjodhën, për arsye parimore, të mos merrnin pjesë dhe t’i bashkoheshin protestës kundër qeverisë.
Këto zgjedhje nuk duhet të kthehen në një luftë mes vetë qytetarëve.
Në fund të fundit, Kanye West nuk është aktor i politikës shqiptare. Ai është një artist i huaj që është kontraktuar për të performuar dhe nuk mban përgjegjësi për mënyrën se si vendos qeveria shqiptare të përdorë fondet publike. Barra e vendimmarrjes dhe e llogaridhënies i takon institucioneve shqiptare, jo artistit që vjen, performon dhe largohet.
Pikërisht këtu qëndron edhe rreziku më i madh. Debati nuk duhet të devijohet nga çështja kryesore dhe të mos shndërrohet në një përçarje mes qytetarëve. Sa më shumë vëmendja përqendrohet te konfliktet në rrjetet sociale, aq më pak flitet për arsyet që kanë nxjerrë mijëra shqiptarë në protestë prej javësh.
Një qeveri që përballet me revoltë qytetare ka interes që fokusi të largohet nga protesta dhe të zhvendoset te debatet e momentit. Për këtë arsye, protesta nuk duhet të shuhet dhe as të zëvendësohet nga përplasjet në rrjetet sociale. Qëllimi mbetet i njëjtë: kërkesa për përgjegjësi, transparencë dhe llogaridhënie.
Në këtë klimë, një rol të rëndësishëm kanë edhe artistët shqiptarë. Ata nuk kanë pse të reagojnë vetëm kur një deklaratë u sjell klikime apo vëmendje mediatike. Nëse besojnë se vendi ka nevojë për ndryshim, atëherë mbështetja duhet të jetë konkrete dhe e vazhdueshme, përkrah qytetarëve që për javë me radhë kanë zgjedhur të protestojnë. Janë pikërisht ata qytetarë që për vite me radhë kanë mbushur koncertet, kanë dëgjuar muzikën e tyre dhe i kanë mbështetur në karrierë. Për këtë arsye, shumëkush pret që zëri i artistëve të mos kufizohet vetëm te rrjetet sociale, por të jetë i pranishëm edhe në momentet kur qytetarët kërkojnë të dëgjohen.