Hetimet për vrasjen e Eglant Koçit, prova të reja nga kompjuterët e Armand Shakajt forcojnë pistën e kriptomonedhave

Prova të reja të zbuluara në kompjuterët e sekuestruar në zyrat e Armand Shakajt po i japin një drejtim të ri hetimeve për vrasjen e Eglant Koçit. Sipas të dhënave paraprake, ekspertët kanë rikuperuar materiale që lidhen me llogari të kriptomonedhave, duke forcuar dyshimet se pas krimit mund të fshihen motive financiare.
Pajisjet elektronike janë ekzaminuar në Laboratorin Kriminalistik, ku janë rikuperuar të dhëna që konsiderohen me rëndësi për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Në bazë të provave të reja, grupi hetimor po shqyrton edhe mundësinë e ndryshimit të akuzës aktuale nga “vrasje me dashje” në një vepër penale më të rëndë.
Sipas hetimeve, Armand Shakaj dyshohet se vrau mikun e tij, Eglant Koçi, dhe më pas hodhi trupin e pajetë në një humnerë në zonën e Elbasanit. Trupi u gjet rreth dy javë më vonë në gjendje të avancuar dekompozimi, ndërsa ekspertiza mjeko ligjore konfirmoi se viktima ishte ekzekutuar me një plumb në kokë.
Ndërkohë, Armand Shakaj vijon të jetë në arrati. Burime pranë hetimit bëjnë me dije se autoritetet po mbajnë kontakte me familjarët e tij, me synimin për ta bindur të vetëdorëzohet.
Eglant Koçi u zhduk më 4 qershor dhe për herë të fundit u pa pranë sheshit “Willson” në Tiranë, duke lëvizur me motorin e tij me targa “CT969”. Kamerat e sigurisë kanë dokumentuar disa nga lëvizjet e tij në kryeqytet.
34 vjeçari punonte në një mobileri, por hetuesit dyshojnë se ishte i përfshirë edhe në aktivitetin e kriptomonedhave, pistë mbi të cilën janë përqendruar hetimet. Ndërsa kërkimet për Armand Shakajn vazhdojnë, grupi hetimor po punon edhe për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivin e kësaj vrasjeje.