Skip to content
Kryesore

Helmim masiv për herë të dytë në Akademinë e Sigurisë, rreth 30 kursantë përfundojnë në spital pas ushqimit të SORI-AL

· 2 min lexim

Rreth 30 kursantë të Akademisë së Sigurisë në Sauk janë helmuar sërish pas konsumimit të ushqimit të furnizuar nga kompania e kateringut SORI-AL. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës, kur kursantët kanë shfaqur simptoma si të vjella, diarre, temperaturë, dhimbje koke dhe këputje, ndërsa janë transportuar me grupe për të marrë ndihmë mjekësore në spital.

Bëhet fjalë për rastin e dytë brenda pak muajsh, ndërsa lidhur me ngjarjen Policia e Shtetit dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore kanë nisur hetimet.

Sipas informacioneve, kursantët kanë konsumuar rreth orës 21:00 vaktin e darkës, i cili përfshinte fasule, salçiçe dhe kos. Vetëm një orë më vonë ata kanë nisur të shfaqin simptomat e helmimit, duke kërkuar ndihmë mjekësore.

Ky incident vjen pasi në rastin e parë u helmuan 52 kursantë që kishin konsumuar ushqimin e sjellë nga e njëjta kompani. Analizat laboratorike të mostrave zbuluan se makaronat ishin të kontaminuara me bakteret Escherichia coli dhe stafilokok.

Pas ngjarjes së parë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit bllokoi aktivitetin e kompanisë SORI-AL dhe vendosi një gjobë prej 1.5 milionë lekësh për shkelje të standardeve të sigurisë ushqimore dhe kushteve higjeno sanitare. Megjithatë, vetëm pak ditë më vonë aktiviteti i kompanisë u lejua të rifillonte, pasi analizat e higjienës ambientale dhe të pajisjeve të punës në kuzhinën e Akademisë së Sigurisë rezultuan brenda normave të lejuara.

Përsëritja e helmimit në një interval kaq të shkurtër ka ngritur pikëpyetje të forta mbi sigurinë e ushqimit që u shërbehet kursantëve, si edhe mbi efektivitetin e kontrolleve dhe masave të marra pas incidentit të parë. Deri tani nuk ka një reagim zyrtar nga institucionet përgjegjëse për ngjarjen e fundit.