Skip to content
Të Gjitha

Grabitja e Rinasit, zbardhen përgjimet e dy prej të arrestuarve: “Do e paguajmë keq”

· 2 min lexim

Nga grabitja e Rinasit deri tani janë arrestuar pesë persona, mes tyre dy autorë dhe tre bashkëpunëtorë dhe shtatë janë në kërkim

Renaldo Sula dhe Saimir Çela, janë dy nga personat e dyshuar për grabitjen në Rinas të cilët u arrestuan në të njëjtën datë, më 20 prill. Ata janë vënë në përgjim ambiental me urdhër të prokurorit, teksa ndodheshin në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë.

Burime nga “shqiptarja.com” mësojnë bisedën e përgjuar mes tyre. Burime nga grupi hetimor, thanë se nga ‘transkriptimi i përgjimeve ambientale mbajtur në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, përgjithësisht rezulton se personat nën hetim janë munduar që të tregohen të kujdesshëm në komunikimet e tyre”.

Por megjithatë, janë disa hetime, të cilët prokuroria i evidenton:

Datë 20.04. 2019

Saimir Çela: Çfarë tersi, e disha.

Renaldo. Ë… Ej, e kanë marrë vesh ata?

Datë 21.04. 2018

Renaldo: Qysh t’ia bëjmë, qysh t’ia bëjmë ëëë, do paguajnë ato, do e hamë keq, do e hamë keq…

Saimiri: Mos thuaj gjë…

Renaldo në bisedime nënkupton se e kanë marrë vesh ata (me shumë siguri personat e tjerë në hetim, organizatorët e kësaj ngjarje. Ai edhe i ankohet Saimir Çelës, se si t’ia bënin tani që ishin ndaluar.

Renaldo Sula është djali i tezes së Klement Çalës, personit në kërkim jo vetëm i dyshuar si organizator i grabitjes së ndodhur më 9 prill në aeroportin e Rinasit, por edhe për grabitje të mëparshme, sërish në bashkëpunim me Admir Muratajn. E tillë ishte ajo e Qafë-Kasharit, në rrugën e Rinasit të autoblindave me para të bankave të nivelit të dytë.

Renaldo Sula, sipas avokatit të tij mbrojtës, Emin Saraçi, ka një vit që ishte kthyer nga Gjermania. Ai është i martuar me një shtetase gjermane. Sipas mbrojtjes, gjatë gjithë kësaj kohe ka qenë duke përgatitur dokumentacionin për të pasur një leje qëndrimi të ligjshme në Gjermani.

“Kur ndodhi ngjarja”, – thotë avokati – “Renaldo Sula ka qenë në një market dhe për faktimin e kësaj ai thotë se ka pamje nga kamera të sigurisë”.

“Ai mund të ketë shkuar në banesën e Klement Çalës, së bashku me bashkëshorten e tij si kushëri, por nuk ka asnjë kontakt me të, “-  ka theksuar avokati.