Skip to content
Kryesore

GJKKO dënon nënën e Monika Kryemadhit për pastrim parash, shpall të pafajshëm Xhixhon dhe rrëzon kërkesën e SPAK për konfiskimin e vilës

· 3 min lexim
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shpallur këtë të enjte, 26 nëntor, vendimin për tre të pandehurit Fatime Kryemadhi, Piro Xhixho dhe Ema Çoku, duke dënuar nënën e ish-deputetes Monika Kryemadhi për pastrim parash, shpallur të pafajshëm babanë e deputetes Erisa Xhixho dhe rrëzuar kërkesën e SPAK për konfiskimin e një vile në rezidencën “Kodra e Diellit” në Tiranë.

Fatime Kryemadhi, nëna e Monika Kryemadhit, është shpallur fajtore për veprën penale të pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale. Gjykata e dënoi fillimisht me 7 vite e 6 muaj burgim, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi iu ul në 5 vite.

Megjithatë, GJKKO vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim për pjesën e mbetur dhe vendosjen e saj në shërbim prove për dy vite. Gjatë kësaj periudhe, Fatime Kryemadhi duhet të mos kryejë vepër tjetër penale, të mbajë kontakte me shërbimin e provës dhe të mos komunikojë me persona të dënuar, me përjashtim të familjarëve.

Ndërkohë, Piro Xhixho, babai i deputetes Erisa Xhixho, është shpallur i pafajshëm për akuzën e korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë, të kryer në bashkëpunim.

Sipas vendimit, nuk u provua që Xhixho kishte kryer veprën penale për të cilën akuzohej. Për këtë arsye, gjykata urdhëroi edhe heqjen e masës së sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, të vendosur më 23 tetor 2024.

Për të pandehurën Ema Çoku, GJKKO vendosi dënimin me 2 vite burgim për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, duke mos e dënuar për akuzën e pastrimit të parave të ngritur nga SPAK.

Pas uljes me një të tretën për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi përfundimtar u caktua në 1 vit e 4 muaj burgim. Edhe për Ç okun gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit dhe vendosjen në shërbim prove për 2 vite e 8 muaj, si dhe heqjen e masës së detyrimit për paraqitje.

Një tjetër pjesë e rëndësishme e vendimit lidhet me vilën në rezidencën luksoze “Kodra e Diellit”, për të cilën GJKKO rrëzoi kërkesën e SPAK për konfiskim.

Bëhet fjalë për vilën nr. 163, në rrugën “Jaseminëve”, në Selitë të Tiranës, e regjistruar në pronësi të Fatime Kryemadhit. Pasuria përfshin disa kate banimi, ambiente nëntokësore dhe veranda.

Me këtë vendim, Gjykata e Posaçme pranoi pjesërisht akuzat e ngritura, duke dënuar Fatime Kryemadhin dhe Ema Çokun, ndërsa shpalli të pafajshëm Piro Xhixhon dhe nuk pranoi konfiskimin e pasurisë së paluajtshme të kërkuar nga SPAK.