Skip to content
Kryesore

Gjiknuri del kundër qeverisë për tokat bujqësore, përplaset me Manjën dhe braktis mbledhjen

· 2 min lexim

Ndryshimet e propozuara në ligjin “Për mbrojtjen e tokës bujqësore” kanë shkaktuar debate të forta në Komisionin për Çështjet Ligjore, ku deputeti socialist Damian Gjiknuri bashkoi votën me opozitën kundër nenit të parë të projektligjit dhe më pas u largua nga mbledhja pas një përplasjeje me kryetarin e komisionit, Ulsi Manja.

Në qendër të debatit ishte parashikimi për instalimin e impianteve eolike në zonat bujqësore. Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, ngriti shqetësimin se strukturat masive dhe shpimet e nevojshme për ngritjen e kullave të erës mund ta dëmtojnë tokën në mënyrë të pariparueshme.

Të njëjtat dyshime shfaqi edhe Gjiknuri, i cili votoi kundër nenit të parë të projektligjit. Përfaqësuesit e institucioneve deklaruan se impiantet mund të instalohen edhe pa struktura betoni, por deputeti socialist e kundërshtoi këtë shpjegim.

“Një kullë 100 metra e lartë për një park eolik nuk ka shans të vendoset pa strukturë betoni. Nuk jam i bindur me shpjegimet tuaja”, tha Gjiknuri.

Tensionet u rritën në fund të mbledhjes, kur deputeti demokrat Gent Strazimiri kërkoi të vazhdonte me pyetjet, por u ndërpre nga Ulsi Manja. Pas largimit të Strazimirit dhe Bylykbashit, mes Manjës dhe Gjiknurit nisi një debat i drejtpërdrejtë, i cili përfundoi me largimin e deputetit socialist nga salla.

Ulsi Manja: “Kush është dakord në tërësi?”

Oerd Bylykbashi dhe Gent Strazimiri largohen.

Damian Gjiknuri: “Ma jep fjalën të jap shpjegim.”

Ulsi Manja: “Jo, jo, rri tek abstenimi ti.”

Damian Gjiknuri: “Se u keqkuptove edhe ti.”

Damian Gjiknuri: “Ej, do ma japësh fjalën apo të iki fare?”

Ulsi Manja: “Po ik mo.”

Damian Gjiknuri: “Ehu, muhabet kot, muhabet leshi.”

Ulsi Manja: “Ik, merru me Oerdin.”