Gazetari akuza SPAK-ut: Po rehabiliton të përfshirët në korrupsion, pronat e sekuestruara po dalin në shitje

Gazetari Julian Hoxhaj ka hedhur akuza të forta ndaj SPAK, duke u shprehur se pasuritë e sekuestruara nga grupet kriminale po nxirren në shitje, ndërsa personat e përfshirë në dosje të rëndësishme korrupsioni dhe krimi po rehabilitohen përmes masave më të lehta të sigurisë.
I ftuar në emisionin “Task Force”, Hoxhaj deklaroi se gjatë ditëve të fundit në rrjetet sociale janë shfaqur njoftime për shitjen e pronave dhe apartamenteve që janë sekuestruar nga SPAK. Ai pretendoi se këto pasuri po tregtohen nga të njëjtat kompani që, sipas tij, duhet të ishin nën administrimin e administratorëve shtetërorë.
Sipas gazetarit, gjatë muajve të fundit është krijuar një situatë që ai e cilësoi si “rehabilitim” të personave të përfshirë në dosje korrupsioni dhe krimi. Ai përmendi si shembull të arrestuarit në çështjen “5D”, të cilët ndodhen tashmë në arrest shtëpie ose me masën e detyrimit për paraqitje.
Hoxhaj iu referua edhe dosjes “Metamorfoza”, duke pretenduar se disa persona të përfshirë, përfshirë punonjës policie, janë liruar dhe vazhdojnë aktivitetin e tyre.
Në fjalën e tij, gazetari akuzoi SPAK se, në vend që të godasë pastrimin e parave, po kontribuon në legjitimimin e këtij fenomeni.
“Ka të dhëna shumë të rëndësishme se, po i kërkoja ndjesë Basirit, por gjatë ditëve të fundit na kanë dalë çuditërisht nëpër rrjetet sociale, prona, apartamente të grupeve kriminale, të cilat janë sekuestruar nga SPAK dhe kanë dalë në shitje.
Po nga të njëjtat kompani që supozohet, do të duhet të kishin administratorë shtetërorë.
Tek historia e SPAK-ut, historia e SPAK-ut më duket sikur është kthyer në një lavatriçe të pastrimit pikërisht të gjithë situatës. Po ta vini re gjatë muajve të fundit deri në ditët e sotme, kemi një riciklim të plotë apo një rehabilitim të plotë të të gjithë personazheve të lidhur qoftë me dosjet e korrupsionit, ata të arrestuar, të gjykuar, të dënuar dhe që tashmë kanë dalë dhe po rehabilitohen.
Një pjesë e madhe e personazheve të 5D-së dolën, janë në situatë të lirë pra në kushtet ose të arrestit shtëpiak ose detyrim paraqitje. Kemi shumë personazhe të grupeve kriminale që nga dosja e famshme e Metamorfozës, punonjës policie të cilët dolën, sot përfliten gjithashtu që vijojnë aktivitetin për llogari të politikanëve. Pra, duket sikur SPAK detyrën kryesore dhe kyçe e ka pasur që t’i rehabilitojë. Pra, atë që ne e quajmë pastrim të parave dhe që kërkojmë të hetohet dhe të ndalohet, SPAK po e bën në një formë krejt tjetër, po ua ligjëron këtë lloj biznesi. Kjo është ajo që mua më tremb për të ardhmen.”