Skip to content
Aktualitet

Fushata ka nisur/ Lulzim Basha ‘harrohet’ mbi libra, tregon përjetimet e të shkruarit për herë të parë

· 2 min lexim

29 ditë larg votimeve të 25 prillit, e vetëm dy ditë nga çelja zyrtare e fushatës elektorale, kreu demokrat Lulzim Basha gjen kohë për reklamimin e publikimit të librit “Misioni Im”.

Në një kohë që fushata ka nisur vrullshëm, e ndërsa pritet që rikthimi i opozitës  pas dy vitesh mungesë të jetë më i zjarrtë se kurrë, Basha “harxhon” kohën me publicitete. 

Pak ditë pasi hodhi në treg librin e tij të parë, me titull ‘Misioni im’, Basha vjen sot  në një rrëfim ndryshe në emisionin ‘Kjo Javë’ në News24.

Lideri opozitar pritet të tregojë se çfarë e shtyu të vijë pranë lexuesit me këtë libër, të cilin e ka konsideruar si një letër të hapur për shqiptarët!

Sot Basha do shprehet mbi përjetimet pasi mori në dorë kopjen e parë të librit, ndjesitë e të shkruarit të historive ndër vite, rrugëtimi në PD si edhe sfidat e angazhimet e të ardhmes. 

Por në asnjërën nga çështjet nuk do të flitet për programin ekonomik apo synimet dhe premtimet që opozita e bashkuar ka për shqiptarët. 

Fushata e kryedemokratit pritej të ishte ndryshe që nga video virale e gatimit, që më pas u vijua në të njejti stil dhe nga kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi. 

Mesa duket në këto zgjedhje, Lulzim Basha ka dy qëllime, fitoren e zgjedhjeve dhe “misionin” e ri, të shkruarit e librave.