Skip to content
Të Gjitha

Furtuna pas “shëtitjes” në bllok të Dritan Dajtit, emërohet drejtori i ri i Policisë së Burgjeve

· 2 min lexim

Shoqërimi i Dritan Dajtit, i arrestuar për vrasjen e katër oficerëve dhe një biznesmeni, në zonën e ish-Bllokut më 10 janar shkaktoi polemika të shumta, ku sipas strukturave u bë me dije se Dajti ishte shoqëruar për të kryer dy vizita mjekësore.

Lidhur me këtë ngjarje Ministria e Drejtësisë njoftoi shkarkimin e disa efektivëve të policisë, mes të cilëve edhe drejtorit të Policisë së Burgjeve, Bardhyl Kaçorrin.

Dritan Dajti ‘xhiro’ në ish-Bllok! Reagon Ministria e Drejtësisë: “Shkarkime të shumta efektivësh. Kanë cënuar sigurinë”

Së fundmi, Abc News raporton se është emëruar drejtori i ri i Policisë së Burgjeve, Enver Levani, një emër i njohur në radhët e Policisë së Shtetit, me 16 vite eksperiencë në këtë sektor.

Prej 12 vitesh ai ka qenë tek Reparti Speciale “RENEA” duke e nisur atë si Zv/komandat njësie deri tek shef seksioni.

Sakaq, nga një vëzhgim i shpejtë rezulton se Levani ka kandiduar edhe për postin e kreut të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Shëtitja e Dritan Dajtit, të dënuarit me 25 vite burg për vrasjen e katër policëve ngjarje e ndodhur në vitin 2009 në Durrës,veç Kaçorrit, i kushtoi postin edhe drejtorit të IEVP-së Peqin Emin Shpata si dhe shefit të Forcave Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, Ferit Mici.

Gjithashtu u shkarkuan nga puna mjeku i të IEVP Peqin, Andi Andoni, ndërsa u paralajmëruan mjekja e DPB, Ermira Qirinxhi si dhe inspektori i IEVP Peqin, Mefat Shehu.