Skip to content
Kryesore

Fëmija 2-vjeçar me tumor në pritje të kimioterapisë, mungon ilaçi në Onkologjik

· 3 min lexim

Spitali Onkologjik në Tiranë përballet me një situatë alarmante në mungesën e trajtimit të pacientëve me kancer. Një rast veçanërisht shqetësues është ai i një fëmije 2-vjeçar, i diagnostikuar me tumor, i cili prej 10 ditësh ndodhet në spital pa marrë trajtimin e nevojshëm.

Fëmija ka nevojë urgjente për medikamentin ACTINOMYCIN D, mungesë e të cilit po rrezikon shanset e tij për shërim. Sipas specialistëve, ky ilaç rrit mundësinë e shërimit deri në 75% të rasteve.

Nëna e vogëlushit shprehu zhgënjimin e thellë ndaj sistemit shëndetësor: “Ndihem shumë e zhgënjyer prej shtetit tonë. Kur nuk gjendet ilaçi kryesor, përdoret një alternativë tjetër që ul ndjeshëm mundësinë e shërimit. Si mund të vazhdojmë kështu?”

Ajo i drejtoi një thirrje publike kryeministrit Edi Rama dhe ministres së Shëndetësisë Albana Koçiu për ndërhyrje të menjëhershme në sigurimin e ilaçeve bazë për mbijetesën e pacientëve.

Rasti u bë publik nga gazetari Osman Stafa, duke nxjerrë në pah problematikat e vazhdueshme në furnizimin me kimioterapi në këtë institucion shëndetësor.

Postimi i plotë i Osman Stafës:

ËSHTË VETËM 2 VJEÇ  VUAN NGA KANCERI!

ÇFARË FAJI KA KY VOGËLUSH QË NUK KA KIMIO NË SPITAL?

ÇFARË MËKATI KA BËRË KY DJALË QË SHTETI SHQIPTAR, MINISTRIA E SHËNDETËSISË, NUK I MUNDËSON KIMIOTERAPINË?

DUHET TË KISHTE NISUR TRAJTIMI I TIJ ME KIMIO.

DJALI PO HUMBET KOHË TË VYER, PËR TË LUFTUAR PËR SHANSET E TIJ.

PREJ GATI 10 DITËSH, ËSHTË PA TRAJTIM.

MBAHET ATY NË SPITAL, PA DITUR ÇDO BËHET ME TË. KA NEVOJË PËR MEDIKAMENTIN “ACTINOMYCIN D”.

A NUK ËSHTË KJO KRIMINALE?

A NUK ËSHTË VEPËR PENALE?

Ministre e Shëndetësisë Albana Koçiu shko takoje djalin, e ke tek Pediatria Onkologjike, shko thuaji nënës së djalit se kur do të vijë ilaçi.

Kryeministri Edi Rama, kërkojini mikes suaj, Kryeministres Italiane, t’u bëj një nder e t’u japë mjekimin për këtë djalë, se Italia e ka. Është urgjent rasti i këtij djali. Kërkoni informacion, se mjekët e dinë sesa e fortë është sëmundja që po përballet ky fëmijë.

p.s Ju lutem, kush i njeh, tua nisin këtë post Prokurorit të Tiranës, Hysni Mulaj,

Gjyqtarit të Shkallës së Parë, Albert Meça, si dhe Gjyqtarit të Apelit, Dritan Hasani.

Ja pasojat e vendimeve tuaja.

Po të hetohej, dhe të viheshin përpara përgjegjësisë përgjegjësit, kjo situatë s’do ishte e tillë më.

Ky është një ndër rastet e shumta të denoncuara kur mungojnë ilaçe thelbësore për të mbajtur në jetë njerëzit e sëmurë me tumor.

Pavarësisht denoncimeve, duket se ende nuk ka ndërhyrje konkrete për të siguruar ilaçet që shpëtojnë jetë.