Skip to content
Kryesore

Eurodeputetja ngre pikëpyetje për çështjen Balluku në Tiranë: Pse imuniteti vendoset në Kuvend?

· 3 min lexim

Çështja e Belinda Ballukut dhe imunitetit parlamentar ka hyrë edhe në diskutimet e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-Bashkimi Evropian. Në takimin e zhvilluar këtë të hënë në Tiranë, eurodeputetja Isabel Wiseler-Lima ngriti çështjen e kërkesave për imunitetin dhe rolit që ka Kuvendi në vendimmarrjen për to, teksa foli për pavarësinë e drejtësisë dhe vazhdimësinë e reformës.

Deklarata merr peshë të veçantë në një moment kur emri i Ballukut është sërish në qendër të zhvillimeve që lidhen me SPAK-un dhe kur debati për imunitetin e saj është rikthyer në skenën politike.

Wiseler-Lima vlerësoi SPAK-un si një nga institucionet që gëzon më shumë besim te shqiptarët, por paralelisht ngriti pyetjen se si garantohet në praktikë pavarësia e institucioneve të drejtësisë, duke sjellë në vëmendje pikërisht faktin se kërkesat për imunitet kalojnë për vendimmarrje në Parlament.

“SPAK-u është në fakt një nga institucionet të cilit shqiptarët i kanë më shumë besim dhe ka qenë i suksesshëm brenda reformës në drejtësi. Kjo është një nga format për të cilën është rënë dakord nga të dyja palët.

Por megjithatë pavarësia nuk është se sigurohet menjëherë, pra kërkesat për imunitet për shembull vendosen këtu dhe çdo hetim dhe fillim i tyre do të vendosen këtu. Dhe ndërkohë anëtarë të Këshillit të Prokurorisë dhe Gjyqësorit zgjidhen nga parlamenti. Kjo nuk është një detyrë e lehtë, dhe pyetja është a do të jetë reforma në drejtësi e pakthyeshme? Unë besoj fort se përgjigjja është po”, tha ajo.

Në këtë mënyrë, debati për Ballukun nuk mbetet vetëm një përplasje e brendshme politike. Çështja e imunitetit vendoset në të njëjtën tryezë ku Shqipëria dhe përfaqësuesit e Parlamentit Evropian diskutojnë sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe ecurinë drejt Bashkimit Evropian.

Eurodeputetja e lidhi më tej funksionimin e drejtësisë me rezultatet konkrete që kërkohen në procesin e integrimit. Mesazhi i saj ishte i qartë: hapja e një hetimi nuk mjafton dhe rezultatet duhet të shkojnë deri te konfiskimet dhe dënimet.

“Mbyllja e kapitujve 23 dhe 24 kërkon një histori të sukseseve, apo arritjeve. Të kemi pasur konfiskime, dënime.

Gjithmonë hetimet janë fillimi, por nuk janë përfundimi.”

Wiseler-Lima u ndal edhe te roli i Parlamentit, duke theksuar se Kuvendi nuk duhet të kufizohet vetëm te miratimi i ligjeve, por duhet të dëgjojë sinjalet që vijnë nga qytetarët.

“Roli i Parlamentit nuk është vetëm të miratojë ligje, por të dëgjojë edhe zërin e qytetarëve. Qytetarët po çojnë sinjale të qarta dhe duhet të dëgjohen ata.

Në Parlament është i rëndësishëm të dëgjohet zëri i tyre, të debatohet ai. Dhe unë e di që ky Parlament mund ta realizojë një gjë të tillë.”

Eurodeputetja foli gjithashtu për zgjedhjet, ndryshimet në Kodin Zgjedhor, transparencën e investimeve të mëdha, ligjin për investimet strategjike dhe zonat e mbrojtura, duke i lidhur këto çështje me standardet që Shqipëria duhet të përmbushë në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

“Një ditë shumë afër, disa prej jush do të ulen krah nesh në PE dhe mezi e pres këtë ditë. Të punojmë së bashku që kjo ditë të arrijë sa më shpejt”, përfundoi Wiseler-Lima.