EKSKLUZIVE/ Mërtiri dorëzohet në Austri me provat e inceneratorëve, a është ai shqiptari që po “zbërthen” aferat tronditëse të qeverisë tonë në dokumentarin austriak?

Një zhvillim i fortë në çështjen e inceneratorëve vjen nga Austria dhe mund t’i japë një tjetër dimension dokumentarit investigativ që po përgatitet atje.
Burime ekskluzive për Gazetën Reforma bëjnë me dije se Mirel Mërtiri është dorëzuar në Austri me materiale dhe prova që lidhen me aferën e inceneratorëve. Mërtiri është një prej figurave kryesore të kësaj çështjeje dhe prej kohësh është shpallur në kërkim.
Por ajo që e bën edhe më të rëndësishëm këtë zhvillim është përkimi me një tjetër histori që po zhvillohet pikërisht në Austri.
Regjisori dhe producenti austriak Frederik Füssel po punon mbi një dokumentar investigativ të bazuar në dëshminë e një personi nga Shqipëria, identiteti i të cilit nuk është bërë publik. Dëshmitari pretendon se disponon materiale që dokumentojnë pagesa, shuma parash dhe emrat e personave që ai akuzon për përfshirje në skema korruptive.
Në një prej fragmenteve të publikuara, Füssel shfaqet duke mbajtur një USB, për të cilën dëshmitari pretendon se përmban të dhënat e pagesave.
“Ke emra, shumën e parave, ke të dhëna, ke dhe arsyet se pse janë paguar këto para tek ata”, shprehet dëshmitari.
Gazetari: Pra çfarë ka në këtë USB?
Dëshmitari: Të gjitha të dhënat, të gjitha pagesat…
Gazetari: Pra, nëpërmjet kësaj USB mund të shkosh tek të gjitha…?
Dëshmitari: Të gjithë njerëzit që unë po akuzoj sot.
Tashmë, informacioni se Mirel Mërtiri është dorëzuar në Austri me materiale që lidhen me inceneratorët e vendos në një tjetër dritë dokumentarin që po përgatitet atje.
A është pikërisht Mërtiri shqiptari që ka vendosur të flasë? A janë materialet që ai ka marrë me vete ato që shfaqen në dokumentarin e regjisorit austriak?
Përkimi është i fortë. Mërtiri, një prej emrave kryesorë të dosjes së inceneratorëve, ndodhet në Austri me prova që lidhen me këtë çështje, ndërsa në të njëjtin vend po përgatitet një dokumentar mbi dëshminë e një shqiptari që pretendon se mund të tregojë jo vetëm emrat, por edhe shumën e parave, pagesat dhe arsyet se përse ato janë kryer.
Bashkimi i hallkave mund të kthehet në një prej zhvillimeve më të rëndësishme të aferës së inceneratorëve.
Tani mbetet vetëm që provat të flasin dhe dokumentari të nxjerrë gjithçka në dritë. Nëse emrat dhe pagesat e paralajmëruara çojnë te njerëzit e qeverisë, atëherë inceneratorët mund të kthehen në një efekt domino: hallkat e përfshira të pushtetit të rrëzohen njëra pas tjetrës, përballë provave dhe drejtësisë.