Skip to content
Të Gjitha

Ekonomia shqiptare në krizë? ‘Moody’s’ e zhvlerëson, ja sa e ka ulur notën e indikatorëve

· 2 min lexim

Ekonomia shqiptare është kapur nga një krizë e fortë edhe pse në qarkullim ka shumë para të padeklaruar dhe të pa kanalizuar në sistemin fiskal.

Këtë vlerësim japin agjencitë ndërkombëtare të klasifikimit të ekonomive, të cilat i kanë ulur ndjeshëm pritshmëritë për ekonominë e vendit tonë.

Një prej tyre, “Moody’s”, vlerëson me notë aspekte të ndryshme të ekonomisë sonë, ku nga 2 prej 6 indikatorëve, agjencia ka ulur notën.

Në analizën më të fundit të kreditit për vendin tonë, të siguruar ekskluzivisht nga “Scan Intelligence Unit”, agjencia e vlerësimit të kreditit, “Moody’s” vlerëson me notë aspekte të ndryshme të ekonomisë sonë. Në 2 prej 6 indikatorëve, agjencia ka ulur notën.

Indikatori i forcës ekonomike është zhvlerësuar, nga “ba1”, në “ba3”.

“Ne e kemi ulur notën nga ‘ba1’ sepse besojmë se forca ekonomike e Shqipërisë është më e dobët, si pasojë e diversifikimit të kufizuar të ekonomisë, si dhe bazës së ngushtë të eksporteve, krahasuar me vendet e tjera që ndajnë të njëjtën notë vlerësimi të borxhit, si Bosnje Hercegovina, Armenia, Gjeorgjia apo Serbia”,- thotë “Moody`s” mes rreshtave.

Indikatori tjetër i zhvlerësuar është ai i forcës fiskale. “Ne e vlerësojmë forcën fiskale të Shqipërisë në ‘b1’, nën vlerësimin e mëparshëm në ‘ba2’, duke reflektuar rrezikun që vjen nga detyrimet e prapambetura”,- thotë më tej agjencia, duke nënvizuar barrën e lartë të borxhit publik si një faktor të lartë risku.

Katër indikatorët e tjerë ndërkohë kanë ruajtur të njëjtën notë. Likuiditeti i qeverisë, vulnerabiliteti i jashtëm, institucionet dhe sektori bankar ruajnë të njëjtën notë. Sa i përket sektorit bankar, të vlerësuar me notën “ba”, të pandryshuar, agjencia nënvizon se është likuid dhe i mirëkapitalizuar.

“Vlerësimi ynë në ‘ba’ për sektorin bankar të Shqipërisë reflekton një sistem të madh, por të mirëkapitalizuar”,- nënvizon agjencia, e cila shton se, sektori vuan nga niveli i lartë i euroizimit.

/Burimi: SCAN/GazetaReforma.com/