Skip to content
Të Gjitha

E vranë dhe e hodhën në kanal, vëllai i Festim Latos: Çdo gjë e ka bërë me krahët e tij

· 2 min lexim

Disa ditë më parë trupi i shqiptarit Festim Lato u gjet i pajetë në kanalin e Amsterdam-Rhein pranë Nigtevechtit, nga një kalimtar.

Trupi i Latos mbërriti ditën e sotme në Shqipëri, pasi ai e kishte lënë amanet që kur të vdiste, trupi i tij të prehej në vendlindjen e tij.

Bashkëpunëtorja e tij, Sadrie Kasimi, pak më parë foli për “Report Tv” duke bërë akuza të rënda e duke u shprehur se një holandez e ka futur atë në kurth.

Kasimi është shprehur se ajo ka bashkëpunuar për 5 vite me presidentin e vetëshpallur të Republikës çame, Festim Laton.

Kasimi shpehet hapur para kamerës se ishte një bashkëpunëtor holandez i Latos që e futi atë në kurth. Ajo nuk bën të ditur emrin e tij por thotë se këto informacione i ka mësuar nga të njohur të saj në Holandë dhe vetë kryeministri i vetëshpallur i republikës çame, Ali Aliu.

E ndërsa ka folur edhe vëllai i Festim Latos. Isufi shprehet se vëllai i tij nuk ka lidhje me akuzat që kanë ngritur mediat holandeze për Festimit se ai ka qenë i zhytur me borxhe.

“Ai çdo gjë e ka bërë me krahët e tij. Ka punuar me devotshmëri me persona të tjerë, i kanë kushtuar rëndësi të veçantë çështjes çame, dhe ka arritur deri aty sa çështja ka bërë jehonë deri në Parlamentin Evropian”, u shpreh për “Report Tv”, vëllai i Festim Latos.

Ai gjithashtu është shprehur se nuk ka detaje apo informacione se kush mund ta ketë vrarë vëllain e tij.