Skip to content
Kryesore

E paprecedentë në historinë e Shqipërisë/ 100 ditë në këmbë kundër qeverisë: Shqiptarët nuk tërhiqen

· 2 min lexim

Shqipëria shënon sot një moment të pazakontë në historinë e saj të protestave: 100 ditë rresht qytetarë në rrugë kundër qeverisë së Edi Ramës. Një lëvizje që nisi në Zvërnec, pas incidentit ku rojet private tërhoqën zvarrë qytetarët që kundërshtonin rrethimin e zonës, u shndërrua në një protestë të përditshme që prej më shumë se tre muajsh nuk është ndalur.

Nga Zvërneci, revolta mbërriti në zemër të Tiranës. Çdo mbrëmje, qytetarët janë mbledhur në sheshin “Skënderbej”, kanë marshuar drejt Kryeministrisë dhe më pas nëpër rrugët e kryeqytetit. Përballë institucioneve si SPAK kanë jehuar thirrjet kundër qeverisë dhe klasës politike, mes tyre edhe “Rama në burg, Berisha në burg, Belinda në burg”.

Me kalimin e ditëve, protesta u organizua rreth pesë kërkesave: dorëheqja e kryeministrit dhe qeverisë, krijimi i një qeverie teknike tranzitore për jo më pak se 12 muaj, ndryshime kushtetuese dhe të Kodit Zgjedhor të miratuara me referendum, ndryshimi i ligjit për financimin e partive politike dhe kufizimi i postit të kryeministrit në jo më shumë se dy mandate.

Por lëvizja nuk mbeti vetëm në Tiranë. “Revolucioni i Flamingove” kaloi kufijtë, duke mobilizuar shqiptarët në diasporë. Tubime u zhvilluan edhe jashtë vendit, ndërsa shqiptarë nga diaspora iu bashkuan protestës në Tiranë, duke mbushur bulevardin. Protesta mori vëmendjen e mediave ndërkombëtare dhe të eurodeputetëve, disa prej të cilëve erdhën në Shqipëri dhe takuan protestuesit.

Gjatë këtyre 100 ditëve nuk kanë munguar as përplasjet me policinë. Janë përdorur gaz lotsjellës, ujë me piper dhe spraj, ndërsa qytetarë janë arrestuar dhe në disa raste janë raportuar të lënduar. Organizatorët kanë kërkuar hetim për ndërhyrjet e policisë, ndërsa autoritetet i kanë mbrojtur veprimet e uniformave blu si masa për ruajtjen e rendit dhe sigurisë.

Sot janë 100 ditë. Njëqind ditë marshime, thirrje, përplasje dhe qytetarë që rikthehen sërish në shesh. Një protestë e përditshme me një jetëgjatësi të paprecedentë në vend, që nga një revoltë lokale në Zvërnec është kthyer në një lëvizje që ka kaluar kufijtë e Shqipërisë.

Dhe mesazhi i protestuesve pas 100 ditësh mbetet i njëjtë: nuk kanë ndërmend të tërhiqen. Për ta, kjo protestë nuk ka më kthim pas dhe do të vazhdojë deri në arritjen e qëllimit.