Dita e 145-të e protestës/ Pedagogët në krah të studentëve, vijon bojkoti kundër qeverisë Rama

Në ditën e 145-të të protestave kundër qeverisë së Edi Ramës, pedagogët janë mbledhur këtë të enjte përpara Korpusit Qendror të Universitetit Politeknik të Tiranës, në solidaritet me studentët dhe të rinjtë që prej muajsh kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit.
Me pankartat “Studentët nuk janë vetëm”, “Kur goditet studenti, goditet e ardhmja”, “Jemi me studentët” dhe “Mos prekni studentët”, pedagogët kanë shprehur mbështetjen për lëvizjen studentore dhe kundërshtimin ndaj dhunës gjatë protestave.
Mobilizimi i sotëm vjen pas vendimit të Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH) për bojkotimin pa afat të mësimdhënies në universitetet publike. Vendimi, i shpallur një ditë më parë, mbetet në fuqi deri në një njoftim të dytë.
Pedagogët pritet të vijojnë marshimin drejt institucioneve qendrore, ndërsa studentët janë grumbulluar përpara Kuvendit, ku protesta kundër qeverisë vazhdon.
Prej 145 ditësh, të rinjtë protestojnë kundër qeverisë Rama, duke ngritur shqetësime për tarifat universitare, cilësinë e arsimit, kushtet në konvikte dhe mungesën e reagimit institucional ndaj kërkesave të tyre.
Gjatë kësaj periudhe, protestat janë shoqëruar me tensione, përplasje me policinë dhe incidente të dhunshme. Pavarësisht kësaj, studentët kanë vijuar mobilizimin, duke mbajtur të pandryshuar kërkesën kryesore: “Rama, jep dorëheqjen!”
Bojkoti i universiteteve dhe pjesëmarrja e pedagogëve në protestë dëshmojnë vijimin e mobilizimit të komunitetit akademik, ndërsa lëvizja studentore hyn në ditën e saj të 145-të pa një zgjidhje të kërkesave të ngritura.