Skip to content
Kryesore

Dështon seanca për Dritan Dajtin në Gjykatën e Elbasanit

· 1 min lexim

Seanca e radhës gjyqësore e kërkuar nga Dritan Dajti, që ishte planifikuar për t’u zhvilluar në orën 09:30 të kësaj të Hëne në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Elbasan, nuk u mbajt.

Sipas avokatit mbrojtës, shkak për dështimin e seancës ishte mungesa e gjyqtares Thomaidha Roca, e cila ka paraqitur një raport mjekësor për shkak të problemeve shëndetësore me të cilat po përballet prej disa ditësh.

Gjykata kishte njoftuar paraprakisht avokatin për mungesën e saj gjatë kësaj seance.

Një situatë e ngjashme ka ndodhur edhe në seancën e kaluar, e cila gjithashtu dështoi për të njëjtën arsye.

Dritan Dajti, i cili po vuante dënimin në burgun e sigurisë së lartë të Peqinit, kishte kërkuar nga gjykata që të shpallej përfundimi i ekzekutimit të dënimit me 25 vjet burgim.

Dajti ka qenë afër lirimit, por në mars 2019, Prokuroria apeloi vendimin e Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, e cila kishte miratuar kërkesën e Dajtit për gjykim të shkurtuar dhe kishte ulur dënimin e tij në 25 vjet burg.