Skip to content
Kosovë

Dështon për të gjashtën herë konstitutimi i Kuvendit të Kosovës

· 2 min lexim

Kuvendi i Kosovës ka zhvilluar sot seancën e gjashtë konstituive, ku kryesuesi i seancës, Avni Dehari, njoftoi se ishin të pranishëm 119 deputetë.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, propozoi përsëri Albulena Haxhiun për postin e kryeparlamentares, duke kërkuar mbështetje edhe nga partitë e tjera për të zhbllokuar procesin e konstituimit të Kuvendit.

Kjo është hera e katërt që Haxhiu propozohet për këtë post, por ajo nuk ka mundur të sigurojë 61 votat e nevojshme.

Në këtë seancë, Albulena Haxhiu mori 57 vota pro, 47 kundër dhe 3 abstenime, duke dështuar sërish të zgjidhet kryetare e Kuvendit.

“Ne sërish e bëjmë propozimin e njëjtë, emri ynë i vetëm është Albulena Haxhiu. Ju kërkoj mirëkuptimin e juaj që t’i kontribuoni zhbllokimit të kësaj situate, ashtu që të kalojmë në faza të tjera”, tha Konjufca

Partitë politike vazhdojnë të mbajnë qëndrime të ndryshme, LDK-ja nuk ka mbështetur asnjë kandidat të VV-së, PDK-ja ka lënë mundësinë e mbështetjes për një kandidat tjetër, ndërsa AAK-ja ka propozuar Saranda Bogujevcin dhe Shqipe Selimin.

Shumë parti parlamentare e shohin Haxhiun si një figurë përçarëse, ndërsa Vetëvendosje mbetet e vendosur se ajo është kandidatura e duhur.

Pasi nuk u arrit një rezultat, seanca u ndërpre dhe do të vazhdojë më 27 prill në orën 10:00.