Denoncimet e Ahmetajt për trafik armësh, SPAK kontrolle te Ron Yeffet dhe Ministria e Mbrojtjes

Prokuroria e Posaçme (SPAK) dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) kanë ushtruar kontrolle në banesën e biznesmenit izraelito-amerikan Ron Yeffet, në periferi të Tiranës, në kuadër të hetimeve që lidhen me denoncimet e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj për trafik armësh.
Sipas burimeve, kontrolle janë kryer edhe në Ministrinë e Mbrojtjes, të drejtuar nga Ermal Nufi, ku janë sekuestruar një sërë dokumentesh që lidhen me praktikat e tenderëve.
Veprimet e SPAK dhe BKH lidhen me akuzat dhe materialet e përgjimeve të bëra publike nga Ahmetaj, i cili ka pretenduar se bëhet fjalë për një skemë të trafikut ndërkombëtar të armëve.
“Është vetëshpjeguese. Jemi duke folur për trafik ndërkombëtar armësh. Dhe jo në kuadër të marrëveshjes, në sytë e NATO-s, që ka Shqipëria me Ukrainën. Jo. Jemi duke folur për trafik armësh nga vendet e Afrikës, që do paketohen në Shqipëri, ose që paketohen në Shqipëri, dhe që pastaj marrin rrugën… Jemi duke folur për trafik të pastër armësh”, deklaroi Ahmetaj.
Në qendër të denoncimeve është një material përgjimi rreth treorësh në Monako, ku Ron Yeffet është një prej personave kryesorë të përmendur. Sipas materialit të publikuar nga Ahmetaj, në biseda Yeffet komunikon me persona të tjerë për kompani, tenderë dhe pajisje ushtarake.
Ahmetaj pretendon gjithashtu se bisedat tregojnë marrëdhënie me institucione shqiptare dhe të vendeve të tjera, si dhe rolin që këto lidhje kanë pasur.
Në një prej sekuencave të publikuara, ish-zëvendëskryeministri ka veçuar një bisedë ku, sipas tij, diskutohet mënyra se si mund të anashkalohen garat dhe procedurat e tenderimit përmes krijimit të kompanive të tipit KAYO në Shqipëri.
Në denoncimet e tij, Ahmetaj është ndalur edhe te tenderët publikë, ku ka përmendur “Ermal Raketa”, duke iu referuar ministrit Ermal Nufi.
Ai ka ngritur pikëpyetje konkretisht për një tender me vlerë 14.4 milionë euro për avionë zjarrfikës, duke vënë në diskutim mënyrën e zhvillimit të procedurës dhe personat që, sipas tij, lidhen me të.
Kontrollet dhe sekuestrimi i dokumenteve nga SPAK dhe BKH shënojnë tashmë veprime hetimore lidhur me çështjet e ngritura publikisht nga Ahmetaj, ndërsa mbetet për t’u përcaktuar nga hetimi nëse pretendimet e tij mbështeten nga provat e administruara.