Skip to content
Kryesore

Çështja Balluku/ Braho: Mungesa e masës së sigurisë e dëmton hetimin, deputetët s’duhet të kenë imunitet

· 1 min lexim

Kreu i SPAK, Klodian Braho, është pyetur lidhur me imunitetin e deputetëve dhe ndikimin që ai ka në hetimet penale. Gjatë diskutimit, deputeti demokrat Oerd Bylykbashi ngriti si shembull çështjen e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, duke theksuar se për shkak të statusit të saj si deputete nuk mund të vendoset masë sigurie.

Braho refuzoi të komentonte rastin konkret të Ballukut, duke theksuar se qëndrimi i SPAK për këtë çështje është bërë tashmë publik. Megjithatë, ai ndau qëndrimin e tij personal lidhur me imunitetin parlamentar.

Sipas kreut të SPAK, kuadri aktual kushtetues nuk e pengon prokurorinë të zhvillojë hetime të plota dhe të pavarura, por ndalimi i vendosjes së masave të sigurisë ndaj deputetëve e vështirëson procesin hetimor dhe mund ta dëmtojë atë.

“Çështja konkrete, qëndrimi i SPAK është publik. Sa i përket situatë kushtuese, imuniteti ndalon vendosjen e masave të sigurimit por nuk ndalon prokurorinë të zhvillojë hetime të plota dhe të pavarura. Mungesa e një mase e vështirëson një hetim edhe e dëmton por nuk miratojmë ligje dhe jemi të detyruar t’i bindemi këtij kuadri ligjor. Të ishim ne pala që miratonte ndryshime ligjore, personalisht unë mendoj se s’duhet të kishte imunitet fare”, u shpreh Braho.