Skip to content
Kryesore

Censurë ndaj protestës: Mbyllen në seri profilet në Instagram, mbi 200 llogari denoncohen të prekura/ Kush fshihet pas?

· 4 min lexim

Një valë e re mbylljesh të profileve në Instagram dhe TikTok ka rikthyer dyshimet për një përpjekje të koordinuar për të goditur zërat që mbështesin dhe dokumentojnë protestën. Fenomeni nuk shfaqet për herë të parë. Probleme të ngjashme u denoncuan edhe në fillimet e protestës, kur profile dhe faqe që transmetonin zhvillimet nga terreni u përballën me kufizime, raportime dhe deri në mbylljen e llogarive.

Këtë herë përmasat e denoncuara janë edhe më të mëdha. Rreth 200 profile në Instagram janë prekur, ndërsa në qendër të mbylljeve duket se janë llogari me audiencë të konsiderueshme, të cilat kanë mbështetur protestën ose kanë publikuar vazhdimisht pamje dhe informacione prej saj.

Pikërisht përsëritja e fenomenit ngre pyetjen që nuk mund të anashkalohet: kush po i godet këto llogari dhe me çfarë mekanizmi?

Gazetari Klodian Tomorri ka ngritur publikisht dyshime për një përfshirje të mundshme të strukturave shtetërore, duke përmendur AKSHI-n dhe ADS. Ai thekson se nuk ka prova që këto institucione janë përfshirë konkretisht, por kërkon që çështja të hetohet, për të zbuluar nëse pas mbylljeve qëndrojnë struktura shtetërore apo struktura dixhitale informale.

Tomorri shkruan:

Kane filluar te mbyllin profilet e njerezve me shume ndjekes qe mbeshtesin protesten. Thone qe kane mbyllur faqet e shume njerezve. Nuk dihet nese ketu ka dore AKSHI apo ADS. Por sigurisht qe ne nje menyre apo tjeter ka dore qeveria, edhe me strukturat dixhitale hije qe mban. Kjo duhet hetuar. Nese po perdoret fuqia e shtetit per tu mbyllur gojen njerezve, atehere Shqiperia nuk ka me nje qeveri normale, por nje qeveri te fandaksur pas algoritmit.

Dyshimet bëhen edhe më serioze për faktin se nuk bëhet fjalë për një episod të izoluar. Në fillim të asaj që është njohur si “Revolucioni Flamingo” u denoncuan probleme të ngjashme.

Duket se pas këtyre mbylljeve qëndron ndërhyrje shtetërore, financim publik apo përdorimi i strukturave dixhitale dhe hakerëve për raportime të koordinuara. Kjo është një çështje e rëndë e përdorimit të burimeve dhe pushtetit shtetëror për të kufizuar fjalën e lirë.

Kontrasti, ndërkohë, është i fortë. Nga njëra anë, qeveria vijon të përdorë burime publike për mbledhje, struktura dhe iniciativa të reja, duke prezantuar si risi mekanizma që synojnë të adresojnë probleme të administratës pas 13 vitesh në pushtet. Vetëm sot u prezantua “Pasqyra Albania”, një tjetër instrument që vetë Kryeministri e përshkroi si mekanizëm që do të bëjë atë që Platform e Bashkëqeverisjes nuk ka arritur ta bëjë.

Nga ana tjetër, ndërsa qytetarëve u kërkohet të besojnë te një tjetër platformë dhe një tjetër mekanizëm kontrolli të administratës, mbi 200 llogari që denoncohen si të lidhura me protestën rezultojnë të mbyllura ose të prekura. Në këtë situatë, qeveria ka detyrimin të sqarojë publikisht nëse ndonjë institucion, strukturë, kontraktor apo burim publik është përdorur drejtpërdrejt ose tërthorazi për raportimin, goditjen apo mbylljen e këtyre profileve.

Sepse paratë e qytetarëve duhet të përdoren për problemet e qytetarëve: për koston e jetesës, shëndetësinë, arsimin dhe shërbimet publike, jo për mënyra korruptive dhe një luftë politike me rrjetet sociale dhe kritikët e qeverisë.

Edhe Tomorri e vendos pikërisht këtu theksin, duke ironizuar fokusin e mazhorancës te “algoritmi”:

Kjo nuk eshte cudi. Kryeministri, ministrat dhe gjithe drejtuesit e maxhirances kane vetem nje shqetesim ne komunikimet e tyre publike. Algoritmin. Nuk ka qeveria shqetesim koston e jeteses, shendetesine, arsimin. Halli eshte vetem algoritmi. Merrni komunikimet publike te kryeministrit ne tre muajt e fundit. Nuk e ka permendur asnjehere togefjaleshin kosto e jeteses. Por ka permendur mbi 3 mije here fjalen algoritem. Gjithe qeveria si Don Kishoti me Sanco Pancon. Ata luftonin me mullinjte e eres. Keta luftojne me algoritmin.

Mbyllja për herë të dytë në seri e llogarive që raportojnë apo mbështesin protestën nuk mund të kalojë si një rastësi pa përgjigje. Nëse është veprim i platformave, ato duhet të shpjegojnë arsyet. Nëse bëhet përmes raportimeve të koordinuara, duhet zbuluar kush i organizon. Dhe nëse ekziston qoftë edhe një lidhje me struktura shtetërore apo para publike, atëherë çështja kërkon hetim institucional.

Sepse një qeveri që ka 13 vite pa zgjidhur ende problemet e qytetarëve nuk mund ta ketë prioritet të luftojë algoritmin, aq më pak zërat që e kundërshtojnë.