Skip to content
Kryesore

Burimasi kundër projektit që çon ujin e fshatit në Zvezdë/ Protesta përplaset me policinë, një banor humb ndjenjat dhe 3 shoqërohen

· 6 min lexim

Protesta për ujin e pijshëm në Burimas të Maliqit ka degjeneruar në përplasje mes banorëve dhe policisë. Për të tretën herë brenda pak muajsh, banorët kanë dalë në rrugë për të bllokuar punimet që synojnë lidhjen e linjës së ujit drejt fshatit Zvezdë, ndërsa tensionet kulmuan me shtyrje, një protestues që humbi ndjenjat dhe tre persona të shoqëruar në komisariat.

Banorët bllokuan rrugën dhe penguan mjetet e Shoqërisë Rajonale Ujësjellës-Kanalizime që kishin shkuar për të vijuar punimet. Ndërhyrja e policisë solli përplasje fizike dhe tension, ndërsa gjatë situatës një prej protestuesve humbi ndjenjat. Banorët kërkuan menjëherë ambulancën, ndërsa më pas ai deklaroi se ishte ndier keq për shkak të tensionit dhe se gjendja e tij ishte stabilizuar.

Në fund të protestës, tre persona u shoqëruan në Komisariatin e Maliqit për kundërshtim të punonjësve të policisë dhe pengim të përfaqësuesve të institucioneve që kishin shkuar për punimet.

Shkak i konfliktit është projekti që parashikon furnizimin me ujë të fshatit Zvezdë. Banorët e Burimasit thonë se linja e re do të përdorë burimin që sot furnizon fshatin e tyre dhe kundërshtojnë që zgjidhja e problemit të një tjetër zone të bëhet duke rrezikuar ujin e tyre.

Ata tregojnë se për dekada kanë vuajtur mungesën e ujit dhe se vetëm gjatë tre viteve të fundit situata është përmirësuar falë një investimi privat.

Në protestë është bashkuar edhe një banor i Zvezdës, i cili thotë se as vetë fshati i tij nuk e pranon këtë zgjidhje dhe kërkon që Ujësjellësi të hapë puse të reja në Zvezdë.

“Jam banor i fshatit Zvezdë. Për këtë problem është bërë dy-tre herë kjo çështje dhe nuk kemi marrë një zgjidhje. Pse duhet të marrim ujin e Gollobërdës e ta çojmë në Zvezdë? Pse nuk vjen drejtori, të vijë ta shikojë njëherë në Zvezdë? Çfarë punime janë bërë, pse nuk ka ardhur njëherë? Kaq fonde nuk ka Ujësjellësi i Korçës të hapë një pus ose dy puse? Ne nuk e pranojmë asnjëherë këtë. Ne si fshat nuk do ta pranojmë. Investimi është 800 milionë lekë të vjetra dhe ujë nuk ka. Janë bërë dy-tre protesta në Zvezdë dhe nuk është vënë ujë në zjarr fare. Tani duan të na gënjejnë, të marrin ujin nga Gollobërda dhe ta sjellin në Zvezdë. Përse? Sa për të mbyllur sytë e Zvezdës. Ne kemi pritur 30 vjet, presim edhe një vit, dy, tre, nuk e kemi problem. Le ta zgjedhin, ta nisin nga e para, të bëjnë një pus, dy, tre. Zvezda është mbi ujë. Nuk do t’i bashkohemi kësaj zgjidhjeje dhe nuk do ta lejojmë të marrin ujin e Gollobërdës. Këtë kërkojmë ne. Të vijë të hapë pusin në Zvezdë.”

Banorët e Burimasit këmbëngulin se burimi aktual është jetik për ta dhe thonë se nuk do të lejojnë ndërhyrje në sistemin që u ka siguruar furnizimin pas dekadash mungesash.

“Kemi vuajtur 40 e ca vjet për ujë. Ne e dimë se sa kemi vuajtur për ujë. U hap ky pusi, na ndihmuan këta të gurores. Jo se na ndihmuan ata, se ne kemi ngrënë tym sa janë tërë të sëmurë njerëzit, tërë të sëmurë. Plus që këtu kanë mbetur pleq.

Çfarë kërkojnë me këtë ujë? Këtë nuk na e dha bashkia, as bashkia, as komuna, asnjë njeri nuk na e dha këtë ujë. Këtë na e dha Favina. Makineritë para dy javëve erdhën këtu me policë, me të tëra. ‘O burra, ikni’, thoshte policia. Edhe na ka bërë përshtypje, se nuk flitet në atë mënyrë. Po ne rezistuam, prapë do rezistojmë dhe këtë ta harrojnë, atë ujë nuk do ta marrin.”

Ata pretendojnë gjithashtu se autoritetet kanë tentuar të vijojnë punimet në ditët kur pjesa më e madhe e banorëve ndodhen në punë për shkak të sezonit të vjeljes së mollëve.

“Është e treta herë që po vijnë me polici dhe ne i kemi zbrapsur. I kemi zbrapsur. Ne nuk do ngremë hunjtë të vritemi me vëllezërit tanë. Këta përsëri të njëjtin avaz, ruajnë ditët që ne nuk jemi. Sot jemi të gjithë ne në punë, ikën të gjithë nga puna se filloi vjelja e mollës. Këta kanë ardhur këtu dhe do të na e lidhin ujin. Siç e shikoni, ja ku është gropa. Të moshuarit janë aty dhe nuk lëvizin që aty. Pa u bërë viktimë njëri ose dy ose tre ose katër, nuk mund ta marrin dot ujin këta.”

Një banor 83-vjeçar kujton vitet kur i gjithë fshati priste në radhë për pak ujë dhe thotë se banorët nuk duan të kthehen në të njëjtën situatë.

“Unë jam 83 vjeç dhe e di se çfarë kam hequr për punën e ujit. Vinim te një çezmë e plepit dhe atje llogarite të vejë një fshat i tërë. Ajo rridhte si një pikë dhe ne rrinim në radhë për të mbushur ujë vetëm për të pirë. Po këto tre vite kemi që furnizohemi me ujë dhe ne e dimë që jemi të kënaqur me këtë.”

Nga ana tjetër, Shoqëria Rajonale Ujësjellës-Kanalizime këmbëngul se projekti nuk do t’i lërë banorët e Burimasit pa ujë.

Sipas Thoma Koroveshit, drejtues i Njësisë së Projektimit pranë Ujësjellësit, Burimasi furnizohet nga dy burime, ndërsa depoja me kapacitet 200 metër kub ishte projektuar fillimisht për Burimasin dhe Ormanin. Meqë Ormani tashmë furnizohet përmes një investimi tjetër, volumi i parashikuar për të synohet të përdoret për Zvezdën.

“Fshati Burimas merr nga dy burime furnizimi ujin. Nga pusi që është në territorin e fshatit merr ujë dhe nga stacioni i pompave në fshatin Mançurisht, që ndodhet në Bashkinë Devoll. Pra është skemë rajonale, nuk është skemë vetëm me një fshat. Depoja e fshatit Burimas, me volum 200 metra kub, është projektuar që të furnizojë fshatin Burimas dhe fshatin Orman.”

Ujësjellësi siguron se lidhja e re nuk do të ndikojë në furnizimin e Burimasit.

“Është llogaritur dhe është teknikisht e mundur që fshati Burimas të ketë 24 orë ujë, si para investimit, ashtu edhe pas investimit. Nuk do të ketë ndikim në furnizim, absolutisht.”

Por banorët nuk e pranojnë këtë garanci. Ata kërkojnë që për Zvezdën të gjendet një tjetër burim dhe paralajmërojnë se nuk do të lejojnë vijimin e punimeve.

Përplasja për ujin mbetet kështu pa zgjidhje: në njërën anë Ujësjellësi thotë se Burimasi nuk humbet furnizimin, ndërsa në anën tjetër banorët, pas dekadash pa ujë, refuzojnë të rrezikojnë burimin që kanë sot dhe paralajmërojnë se do të dalin sërish në rrugë.