Braho për “Albanian Files”: Kush ka prova t’i dorëzojë në SPAK, askush nuk është mbi ligjin

Kreu i SPAK, Klodian Braho, ka refuzuar të komentojë çështjen “Albanian Files”, duke theksuar se bëhet fjalë për një kallëzim penal konkret që ndodhet në proces hetimi dhe se Prokuroria e Posaçme nuk mund të japë qëndrime për raste të tilla.
Gjatë raportimit në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, Braho deklaroi se SPAK vepron vetëm mbi bazën e provave dhe u bëri thirrje të gjithë personave që disponojnë fakte t’i dorëzojnë ato pranë institucionit.
“Nuk flas në lidhje me këtë çështje, sepse është një kallëzim penal konkret. Kush ka prova për cilindo, është i ftuar t’i depozitojë në SPAK. Askush nuk është imun ndaj veprimeve procedurale të SPAK dhe këtë e them me bindje. Kushti është nevoja hetimore dhe prova për kryerjen e një vepre penale”, deklaroi Braho.
Duke folur për luftën kundër pastrimit të parave, kreu i SPAK e cilësoi atë një nga prioritetet kryesore të institucionit, duke theksuar ndikimin që ka kjo veprimtari kriminale në ekonomi dhe korrupsion.
“Pastrimi i parave është një veprimtari kriminale prioritare e SPAK-ut. Pastrimi i parasë dëmton ekonominë e ndershme dhe një sërë elementesh negative. Ky produkt është edhe në funksion të korrupsionit”, u shpreh ai.
I pyetur për zhvlerësimin e euros, Braho sqaroi se kjo nuk është një çështje që hyn në kompetencat e SPAK.
“Për euron, nuk ka lidhje kjo pyetje me SPAK”, tha ai.
Sa i përket Byrosë Kombëtare të Hetimit, Braho deklaroi se institucioni ka nevojë jo vetëm për më shumë hetues, por edhe për zgjerim të funksioneve.
“BKH-së nuk i duhen vetëm më shumë hetues, por shtim të funksioneve të institucionit. Në vijim mund të ketë shtim të zyrave, por për momentin jo. Për konfiskimet, SPAK-u nuk ka kompetenca që të jetë palë pjesëmarrëse në fazën e ekzekutimit të veprave penale”, përfundoi kreu i SPAK.