Skip to content
Kryesore

“Bomba” nga Austria që pritet të tronditë politikën shqiptare/ USB-ja me emra, pagesa e shuma: Dokumentari investigativ paralajmëron zbulime për zyrtarë të lartë

· 2 min lexim

Një dokumentar investigativ që po përgatitet në Austri paralajmëron publikimin e të dhënave mbi raste të dyshuara korrupsioni dhe përdorimin e fondeve publike në Shqipëri. Në qendër të projektit është regjisori dhe producenti austriak Frederik Füssel, ndërsa materiali mbështetet te dëshmia e një personi nga Shqipëria, identiteti i të cilit nuk është bërë publik.

Një fragment i publikuar në rrjetet sociale nga gazetarja Lindita Çela tregon Füssel përballë dëshmitarit, me një USB në dorë. Sipas pretendimeve të dëshmitarit, pajisja përmban të dhëna për pagesa, emra, shuma parash dhe arsyet për të cilat janë kryer pagesat ndaj personave që ai akuzon. Këto pretendime mbeten pjesë e një investigimi që, sipas Çelës, është ende në proces verifikimi.

“Materiali që publikohet tani është vetëm një fragment i shkurtër i një investigimi më të gjerë, i cili do të sjellë në vijim detaje dhe prova që hedhin dritë mbi përfshirjen e gjithkujt, ndërsa hetimi dhe procesi i verifikimit vazhdon”, shkruan Lindita Çela.

Në videon e publikuar zhvillohet kjo bisedë:

Gazetari: Pra çfarë ka në këtë USB?

Dëshmitari: Të gjitha të dhënat, të gjitha pagesat…

Gazetari: Pra, nëpërmjet kësaj USB mund të shkosh tek të gjitha…?

Dëshmitari: Të gjithë njerëzit që unë po akuzoj sot.

Gazetari: Pra këtu ke emrat?

Dëshmitari: Ke emra, shumën e parave, ke të dhëna, ke dhe arsyet se pse janë paguar këto para tek ata…

Materialet e publikuara deri tani nuk identifikojnë personat që dëshmitari pretendon se akuzon dhe as projektet konkrete me të cilat lidhen pagesat. Në media janë ngritur pikëpyetje nëse investigimi lidhet me projekte publike të përfolura më parë për korrupsion, por kjo nuk është konfirmuar në fragmentin e bërë publik.

Frederik Füssel është regjisor, producent dhe drejtor fotografie austriak. Mes punëve të tij është edhe dokumentari “People of War”, i publikuar në vitin 2024, i cili ndjek vullnetarë në vijën e frontit në Ukrainë që evakuojnë civilë dhe shpërndajnë ndihma. Dokumentari është xhiruar përgjatë dy viteve të luftës.

Tashmë vëmendja është te publikimi i materialit të plotë dhe te verifikimi i pretendimeve të dëshmitarit, pasi fragmenti i parë ngre pretendime për ekzistencën e dokumentacionit financiar me emra, shuma dhe pagesa, por nuk i bën ende publike këto të dhëna.