Skip to content
Kryesore

“Bleona është gjetur dhe birësuar nga një çift grek”/ Avokati i familjes rrëzon lajmin: Është mashtrim i madh

· 4 min lexim

Një tjetër kthesë vjen në historinë e Bleona Matës, vajzës së zhdukur prej 16 vitesh. Vetëm një ditë pasi u deklarua publikisht se Bleona ishte gjetur, se jetonte në një vend të Bashkimit Europian, ishte studente ekselente dhe ishte birësuar nga një çift grek, avokati i nënës së saj, Idajet Beqiri, i ka hedhur poshtë kategorikisht këto pretendime.

Beqiri deklaroi se informacionet e bëra publike nga avokati Alban Duraj nuk janë të vërteta, duke i cilësuar ato si “gënjeshtër” dhe “mashtrim të madh”. Sipas tij, Duraj nuk ka lidhje me çështjen e Bleona Matës dhe deklaratat e tij mund të dëmtojnë jo vetëm familjen, por edhe hetimin.

Një ditë më parë, Duraj deklaroi në emisionin “Breaking me Fiori Dardha” se, nga komunikimi që kishte pasur me nënën e Bleonës, Bukurie Mata, ishte arritur të identifikohej vendndodhja e vajzës. Ai pretendoi se Bleona, sot 22 vjeçe, ndodhej në një vend të Bashkimit Europian, ishte studente ekselente dhe ishte birësuar nga një çift grek.

Por Beqiri, gjatë një lidhjeje të drejtpërdrejtë me emisionin “Shqipëria Live”, dha sot një version krejtësisht të kundërt.

“Jo vetëm që është e papërgjegjshme, por krijon probleme ligjore, e hedh organin e akuzës në një drejtim që nuk duhet të shkojë. Gjithashtu ka probleme të rënda me familjen, nënën e Bleonës, njerëzit e tjerë të dashur, vëllain e saj. Ua ngacmon plagën padrejtësisht. Ky person nuk ka lidhje, nuk e di pse është futur këtu”, deklaroi Beqiri.

Sipas tij, nëna e Bleonës është përballur vazhdimisht gjatë këtyre viteve me versione të ndryshme për fatin e vajzës, nga pretendimet se është martuar apo adoptuar, deri te deklaratat se është gjetur në vende të ndryshme.

“Dikush thotë është martuar këtu, dikush e gjetëm këtu, dikush thotë është adoptuar. Ka plot teori. Me dhimbje i pret të gjitha, edhe këtë deklaratë, por e di që është një gënjeshtër, mashtrim i madh”, tha Beqiri.

I pyetur konkretisht për vajzën për të cilën foli Alban Duraj, Beqiri e cilësoi pretendimin një “sajesë të turpshme”, duke shkuar edhe më tej me akuzat.

“Madje është vepër penale. Nuk dua të flas shumë për të, komuniteti jonë ka lloj-lloj njerëzish. U bë vetting gjithandej, por duhet bërë dhe brenda avokatëve. Çfarë nuk po dëgjojmë”, u shpreh ai.

Beqiri: Çështja është e pezulluar, SPAK nuk bën gjë

Por përtej përplasjes mes dy avokatëve, deklarata e Beqirit nxjerr në pah edhe një tjetër fakt të rëndë: pas 16 vitesh, ende nuk ka një përgjigje konkrete për fatin e Bleona Matës.

Sipas tij, hetimet janë orientuar në një drejtim tjetër dhe deklaratat se vajza është gjetur vetëm sa shpërqendrojnë vëmendjen nga ajo që duhet të hetohet.

“Është si puna e kungulleshkës, një erë e merr çështjen Prokuroria e Kukësit dhe e ndalon, e dërgon te Policia. Kjo e merr dhe e kthen sërish te Prokuroria që më pas ia dërgon SPAK. SPAK nuk bën gjë. Momentalisht është çështje e ‘vdekur’, është e pezulluar, nuk ka ndonjë gjë konkrete në drejtimin e duhur. Është një fatkeqësi e madhe, një krim kaq i madh prej 16 vitesh, sot vajza është 22 vjeçe, nuk merr drejtimin e duhur çështja”, deklaroi Beqiri.

Nga shpresa se Bleona është gjallë, te pretendimi se ishte “gjetur”

Rasti është rikthyer fuqishëm në vëmendje edhe pas deklaratave të mëparshme të vetë Beqirit. Ai është shprehur se beson se Bleona është gjallë dhe ka ngritur dyshime të forta edhe mbi qëndrimin e babait të saj gjatë gjithë këtyre viteve.

“Fjalët e mia shkojnë edhe për të atin. S’ka treguar kurrë interes për këtë. Për fat të keq, ai është pjesë e lojës. Këtë jua them unë me bindje. Hetimet do vazhdojnë dhe jam i bindur se shumë shpejt do shkojmë te foleja e grerëzave. Problemi është që babai del keq shumë në këtë lojë”, kishte deklaruar Beqiri.

Edhe nëna e Bleonës, Bukurie Mata, ka hedhur akuza të rënda gjatë daljes së saj publike, duke kërkuar që personat që ajo pretendon se dinë të vërtetën për zhdukjen e vajzës të përballen me drejtësinë. Ajo ka kritikuar gjithashtu babanë e Bleonës, duke thënë se nuk ka treguar të njëjtin angazhim për kërkimin e së bijës.

Kështu, vetëm 24 orë pasi u krijua shpresa se misteri 16-vjeçar mund të kishte marrë fund, pretendimi se Bleona Mata është gjetur, është studente dhe është birësuar nga një çift grek rrëzohet kategorikisht nga avokati i nënës së saj.

E vetmja gjë që mbetet e pandryshuar është pyetja që familja kërkon t’i japë përgjigje prej 16 vitesh: ku është Bleona Mata dhe çfarë ndodhi realisht me të?